00:03 - Anëtari i PSD-së, Dardan Sejdiu, kryetar i së cilës është kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se pjesa enorme e programit fitues të zgjedhjeve është shkruar nga kryetari Ahmeti.
“90 për qind të 100 pikave të programit fitues janë shkruar nga Shpend Ahmeti. Nëse dikush brengoset për 100 zotimet, më i brengosuri është vet Shpend Ahmeti. Nëse duan ta zbatojnë këtë program, VV e ka ofertën e Ahmetit. S’ka njeri në Kosovë që i njeh problemet e qytetarëve më mirë se Ahmeti. Sjelljet e VV-së deri më tani kanë qenë krejtësisht jo-racionale”, tha Sejdiu në Interaktiv të KTV-së.
“Fjalori i kryeministrit duhet të na bëjë bashkë që këtë qeveri ta çojmë në shtëpi”
23:59 - Shefi i deputetëve të PSD-së, Dardan Sejdiu, tha se fjalori ditëve të fundit i kryeministrit Ramush Haradinaj, është i papranueshëm.
“Kryeministri nuk bën të përdorë atë fjalor dhe kërkoj nga opozita që të bashkohemi dhe ta rrëzojmë këtë qeveri dhe këtë kryeministër”, u shpreh Sejdiu në Interaktiv të KTV-së.
Zgjidhja e sistemit të drejtësisë është vettingu, thotë Sejdiu
23:57 - Për çështjen e listave të veteranëve, deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu thotë se të gjithë e kanë ditur se ato janë të fryra dhe është nisur një hetim për këtë çështje nga një prokuror i cili po pretendon se ka fakte për fryrje e në të njëjtën kohë po thotë se është kërcënuar.
“Zgjidhja është vettingu. Që të sigurohemi se kemi një sistem të mirëfilltë të drejtësisë. Nuk ka kuptim të sillemi se s’ka ndodhur asgjë nëse dikush është kërcënuar. Duhet të ketë hetim të plotë të të gjithë procesit të veteranëve. Duhet të hetohen listat, sepse nuk mendoj se bëjnë nderë luftës, veteranëve apo historisë së këtij vendi. Duhet të hetohet edhe rreth pretendimeve të [Elez] Blakajt. Dhe në fund duhet të nisim procesin e vettingut”, u shpreh Sejdiu në Interaktiv të KTV-së.
“Do të punoj me kolegët e grupit tim parlamentar për të sjellë Ligjin për Vetting. Nuk besoj se zoti Lumezi si kryeprokuror ka për çka të mburret, por për integritetin e tij personal dhe pasurinë e tij, nuk mund të flas”, u shpreh Sejdiu, ndërsa theksoi se për rastin Blakaj duhet të marrë përgjegjësi i tërë sistemi prokurorial.
“Blakaj nuk i ka bërë nder sistemit prokurorial, ai ka krijuar një situatë në të cilën prokurori edhe mund të dorëzohet. Është situatë mjaftë e rëndë sa i përket prokurorëve tjerë që mund të shfrytëzojnë rastin e tij si arsyetim”, u shpreh ai.
Ai thekson se duhet të hetohen edhe pretendimet e prokurorit të dorëhequr Blakaj.
Sejdiu: Kufijtë s’guxojnë të jenë temë diskutimi
Shefi i deputetëve të PSD-së, Dardan Sejdiu, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se deklarata e John Boltonit, këshilltar për siguri kombëtare i Presidentit amerikan, Donald Trump, për pajtim në rast të ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, po na bëhet e qartë që të bëhemi gati seriozisht për dialogun me Serbinë.
Sejdiu thotë për këtë arsye kërkojnë që një platformë për dialogun me Serbinë të votohet me dy të tretat në Kuvend.
“Të ndërtojmë një rrugë përpara karshi kësaj sfide që na pret në dialogun me Serbinë. Kuvendi i Kosovës të jetë ai përmes së cilit do të ndërtojmë konsensusin, platforma do të votohej me dy të tretat, edhe një ekip dialogues do të votohej me dy të tretat, edhe një komision mbikëqyrës do të votohej nga Kuvendi, dhe në fund fare, procesi të vijë në Kuvend me dy të tretat. Vetëm kështu monitorohet dialogu. Pa opozitën nuk do të mund të bëhej kjo sepse janë 58 vota. Platforma do të ketë temat që duhet të diskutohet me Serbinë por edhe tema që nuk duhet të diskutohen”, tha Sejdiu.
Ai tha se në platformë duhet të futet pika ku deklarohet qartazi se jemi kundër ndarjes së Kosovës.
“Në parlament duhet të merret legjitimiteti për një dialog, çfarëdo qoftë ai. E jo si më parë të na vijë vetëm në fund një dokument që s’është legjitim”, tha ai.
Deputeti i PSD-së thotë se diskutimi për kufijtë është i papranueshëm për Republikën tonë, ndërsa thekson se gjithçka duhet të shkojë përmes Kuvendit për sa i përket dialogut me Serbinë.
“Konferencat e Thaçit për shtyp ishin fatkeqësisht qesharake. Ai del jashtë kompetencave që i gëzon. Ai nuk mund ta bëjë këtë diskutim [ndryshimin e kufijve] me Serbinë. Por, duke e ditur çfarë është zoti Thaçi, duhet të jetë Kuvendi ai që tregon se çka duhet e çka nuk duhet diskutuar në Bruksel”, thekson ai.
Ai thotë t’u kenë dërguar ftesa LDK-së dhe VV-së për seancë të jashtëzakonshme, por thotë të mos kenë marrë përgjigje nga ta. Thotë se nuk mund të marrin përgjegjësi për pjesën tjetër opozitare, por thekson se nëse s’u pëlqejnë idetë e PSD-së, le të dalin ato me ide të veta.
“Nga LDK dhe Vetëvendosje nuk po shoh asnjë iniciativë. Ndaj iniciativave tona po reagojnë me një dozë idhnimi dhe inati. Mendoj se logjika ‘për inat të resë më vdektë djali’ nuk duhet të jetë pjesë e këtij debati.
Duke folur mundësinë e protestave për të stopuar presidentin Thaçi që të shkojë Bruksel në takim me Vuçiqin, Sejdiu thotë se protesta është mjet i shëndosh për të shprehur pakënaqësi dhe për të parandaluar një veprim të gabuar qeverisës, por thotë se edhe në Kuvend mund të merren vendime të mira.