Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sejdiu ankohet në VV-në e LDK-në për mos-dhënie të nënshkrimeve për ndërprerjen e pushimit të Kuvendit

Dardan Sejdiu, nga Partia Social Demokrate (PSD), është ankuar sot se dy partitë tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK, nuk ia dhanë nënshkrimet kësaj partie për të proceduar tutje kërkesën për ndërprerjen e pushimit të Kuvendit të Kosovës.

PSD më 2 gusht të këtij viti përmes një konference për media ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të ndërpresë pushimin dhe të rifillojë punën për shkak të çështjes së dialogut.

Një ditë pas Grupi Parlamentar i PSD-së i është drejtuar kryekuvendarit Kadri Veseli me shkresë zyrtare për ndërprerjen e pushimit të Kuvendit, duke e ftuar atë që ta ftojë mbledhjen e Kryesisë për datën 6 gusht, për ta caktuar seancën e veçantë për dialogun. Atë datë Kadri Veseli ktheu përgjigje përmes së cilës njoftoi se Kuvendi nuk do të fillojë punën deri në javën e dytë të shtatorit. Në përgjigjen e tij, ai përmendi procedurat e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme.

“7 gusht - PSD iu drejtua dy partive të tjera opozitare (LDK dhe VV) me kërkesën për mbështetje drejt sigurimit të nënshkrimeve të nevojshme për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme në lidhje me fazën finale të dialogut. Bashkëngjitur kësaj kërkese iu është dërguar edhe lista e nënshkrimeve, përmes së cilave do të mundësohej thirrja e kësaj seance dhe marrja e përgjegjësisë nga ky institucion për procesin e dialogut. Sot, më 18 gusht – Asnjë nënshkrim nga LDK dhe VV”, ka shkruar Sejdiu.

Sipas tij, PSD ka propozuar një rezolutë e cila do të kornizonte platformën e bisedimeve të ardhshme, ekipin negociator dhe udhëheqësin e këtij ekipi, si dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të këtij procesi nga opozita parlamentare. Dhe të gjitha këto, sipas tij, do duhej të miratoheshin nga 2/3 e deputetëve.

“Jemi të hapur për propozime të tjera, meqë jemi të bindur se dialogu është dhe duhet të jetë mbi gjithash çështje e Kuvendit, jo Presidentit. Në vend të angazhimit drejt bashkimit opozitar, në kushtet ku do t’i kishim 58 deputetë kundrejt pushtetit të pakicës; LDK dhe VV po vazhdojnë të angazhohen drejt përpjekjes së krijimit të përshtypjes se kinse PSD nuk paska gatishmëri për rrëzimin e qeverisë. Me 26 korrik, PSD i ka dhënë 12 nënshkrimet e deputetëve të saj për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Sot, më 18 gusht – Asnjë nënshkrim nga LDK dhe VV! Pra, nuk janë as për orientim dhe mbikëqyrje të dialogut, as për rrëzim të qeverisë”, ka shkruar Sejdiu.