Është mbajtur takimi i Bordit të Projektit të Kosovës për Siguri.
Në takim kanë marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, komandanti i KFOR-it Salvatore Cuoci, ambasadori italian në Kosovë Piero Cristoforo Sardi, zëvendësshefja e UNDP-së Alessandra Roccasalvo.
Me këtë rast ministri Sefaj vlerësoi se ky projekt po vazhdon të adresojë më tutje dy çështje që janë me prioritet për Kosovën: Kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta dhe eksplozivëve, si dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
“Ngjarjet e fundit në Evropë, kanë treguar se ndërlidhja mes këtyre dy çështjeve nuk duhet të nënvlerësohet. Armët e vogla dhe të lehta dhe eksplozivët, janë gjithashtu prioritet për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Planit të Veprimit për Evropën Juglindore për të luftuar trafikimin e paligjshëm të armëve, si dhe përmes Udhërrëfyesit për një zgjidhje të qëndrueshme për posedimin, keqpërdorimin dhe trafikimin e paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta, në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Sefaj.
Ai tha se “Kosova është e angazhuar që plotësisht të marrë përgjegjësinë e saj për të luftuar dhe parandaluar radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm në përputhje me iniciativën kundër terrorizmit të Ballkanit Perëndimor”.
Strategjia Kombëtare për Kontrollin dhe Grumbullimin e armëve të vogla dhe të lehta dhe eksplozivëve 2017 – 2021, është një politikë e bazuar në fakte dhe e cila adreson më tej të gjitha fushat funksionale të kontrollit të armëve të vogla dhe të eksplozivëve dhe është plotësisht në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontrollit të Armëve të Vogla, sipas njoftimit.