Ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj në Interaktiv të KTV-së ka bërë të ditur se Policia e Kosovës e di emrin e pronarit të veturës nga e cila dyshohet se është kryer vrasja e Oliver Ivanoviqit.
“Ka ndodh një vrasje në rajonin verior. Vrasja është bërë ndaj një personaliteti politik. Policia menjëherë ka filluar me hetimet. Pas asaj janë dërguar njësitë nga qendra, pra nga Prishtina, dhe kanë marrë të gjitha materialet dhe janë duke u bërë të gjitha ekzaminimet rreth këtij rasti”, është shprehur Sefaj në një intervistë në Interaktiv të KTV-së.
Ai ka konfirmuar se dy policë të Kosovës të komunitetit serb ishin të përfshirë në manipulimin e provave në këtë rast, ndërsa ka bërë të ditur se është identifikuar pronari i veturës prej së cilës dyshohet se është kryer vrasja.
“Fatkeqësisht kemi parë se dy policë të Kosovës të komunitetit serb, kanë qenë të përfshirë në këtë rast dhe është bërë arrestimi i tyre. Të gjeturat e para i ka bërë menjëherë policia, ka mbërritur në gjurmët e makinës prej së cilës siç duket është kryer vrasja dhe kemi arritur që të identifikojmë pronarin e makinës. Pronari gjendet në Serbi, kemi kërkuar nga policia serbe që të fillojnë hetime ndaj pronarit të makinës. Në këtë mënyrë e kemi përfshirë në hetime policinë serbe. Informatat e tyre kanë qenë mjaft të përgjithshme dhe ende është duke u hetuar. Presim që të ketë informata edhe nga pala serbe. Ne kemi emrin dhe mbiemrin e këtij qytetari serb, shtetas i Serbisë”, është shprehur ai.
Ai më tutje ka shtuar se, “kemi kërkuar edhe t'i takojmë pikërisht për shkaqe operacionale por nuk kemi marrë përgjigje fikse dhe nuk ka ardhur deri të takimit. Ne gjithmonë kemi qenë për bashkëpunim”.
Edhe
PK: Vetura për vrasje u ble në vitin 2017, nga 2009-ta ajo ishte në Serbi
Sefaj thotë se Serbia e ka politizuar shumë këtë rast, dhe të njëjtën nuk e ka bërë Kosova.
“Janë duke u ekzaminuar materialet dhe nuk kam detaje të tjera. Rezultatet që ne po i kërkojmë, ato informata deri tani nga ana e Serbisë nuk janë të mjaftueshme. Ne nuk e kemi politizuar aq sa e ka politizuar Serbia”, shprehet ai.
I pyetur nëse e njeh Milan Radoiçiqin, Sefaj thotë se nuk e njeh dhe nuk e di se çfarë roli ka ose çfarë fuqie.
“Nuk e di kush është ky person, por nuk e njoh dhe se di se çfarë roli e ka apo çfarë fuqie ka. Ne i përcjellim të gjitha rrugët për hetime. Nuk mund të bazohemi jo vetëm nga ato që lansohen nga media, i marrim parasysh por nuk janë esenciale”, thotë ai.
Sefaj: Nazim Sahiti nuk u përfshi në rrahjen ndaj Agron Mustafës
23:40 - Ministri i Punëve të Brendshëm, Flamur Sefaj, ka folur në “Interaktiv” të KTV-së për problemet që po përcjellin Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për rrahjen ndaj drejtorit të PTK-së, Agron Mustafa.
Ai ka thënë se ka kërkuar që të anulohet konkursi për kreshef të Inspektoriatit.
“Pas gjetjeve kemi vendosur që të bëhej suspendimi i kryeshefit dhe kam kërkuar më pas të marrë rolin e ushtrueses së detyrës zonja Miradije Kelmendi. Unë kam urdhëruar që të jetë ushtrues detyre dhe jo kryeshefe në këtë institucion, dhe kjo është kalim i natyrshëm pasi ajo ka ushtruar këtë detyrë në mungesë të kryeshefit”, ka thënë Sefaj.
“Nuk besoj se është një hakmarrje ndaj dy të suspenduarve. Jam i sigurt se ajo ka gjet dhe ka pas bazë ligjore për të marrë një veprim të tillë. Unë nuk mund të ndërhyjë në menaxhment”, ka thënë tutje
Edhe
Rikthehen akuzat ndaj Beogradit zyrtar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit
Ai ka folur edhe për majorin Nazim Sahiti dhe policin Avni Berisha, rreth rrahjes ndaj Agron Mustafës.
“Rasti është kategorizuar lëndim i lehtë trupor. Policia i ka ndërmarrë të gjitha veprimet në bazë të ligjeve. Është pamje për keqardhje por ligjet duhet të zbatohen”, ka thënë Sefaj.
Kur është pyetur se pse nuk është marrë vendim që të suspendohet majori Sahiri, por vetëm polici i njohur me nofkën “Tarkani”, ai ka thënë se “nuk është marrë ky vendim për suspendimin e Sahitit pasi është konsideruar se nuk ka material për këtë. Pamjet tregojnë se ai nuk është përfshirë në rrahje. Të jeni të bindur se nuk është person i fuqishëm, kjo është kthery në një legjendë. Nuk ka person të fuqishëm në Policinë e Kosovës që mund të dalë kundër ligjit. Por nuk mund t’iu imponojmë institucioneve që të marrin vendime që mund të jenë edhe të gabuara”.
“Të gjitha veprimet që kam ndërmarrë janë konform ligjit. E kam formuar një grup që do të merret me reformimin e ligjit brenda institucioneve. Nuk konsideroj se ministri i Brendshëm duhet të merret me një rrahje. Por nuk ka amnisti për Sahitin. Në aspektin juridik është konsideruar si lëndim i lehtë trupor”, ka thënë Sefaj.
Sefaj ka mohuar se ndonjë lidhje mes partisë së tij, AKR-së dhe Nazim Sahitin mund të jetë arsye që ai nuk u suspendua.
“Z. Sahiti e njoh, është major i Policisë, me të jam takuar në ndonjë ceremoni. Askush nuk mund të amnistohet në rast të thyerjes së ndonjë ligji. Nuk e di çfarë relacioni ka Rrahim Pacolli e Sahiti dhe kjo aspak nuk më intereson”, ka thënë ai.
Sefaj s’është kundër por nuk sheh arsye për Vetting në Policinë e Kosovës
Për kreun politik të sigurisë në vend, Flamur Sefaj, në Policinë e Kosovës nuk ka nevojë për Vetting. Megjithatë, ai ka thënë se nuk do të ishte kundër një procesi të tillë.
“Unë absolutisht e përkrah Vettingun, por jo që ka nevojë të pastrohet Policia. Fjala pastrim po më duket ofenduese ndaj Policisë, por absolutisht duhet të bëhen verifikime dhe ndaj atyre që ka dosje duhet të ndërmerren veprime”, ka thënë Sefaj.
Edhe
4 vjet nga vrasja e Ivanoviqit: “Dikush i fortë po i fsheh filmimet e kamerave”
Ai ka thënë se nuk e ka informatën që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, mund të mos e ketë të kaluar testin e verifikimit nga AKI.
“Mendoj se nuk është ashtu. Nuk e di se sa ky informacion është i saktë, edhe nëse e ka thënë ndonjë deputet, mundet që deputeti nuk është i informuar mirë. Duhet të kemi fakte për një gjë të tillë”, ka thënë ai.