20:32 - Kuvendi ka miratuar Rezolutë për formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e “Gylenistëve” të deportuar në Turqi.
Rekomandimet janë këto:
Formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq me datë 29 mars 2018.
Kërkohet nga Grupet Parlamentare që brenda tre ditësh të dërgojnë në Kryesinë e Kuvendit emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë Komision, në përputhje me Ligjin për Hetime Parlamentare.
Në funksion të ndriçimit të kësaj çështjeje, Kuvendi obligon të gjitha institucionet relevante që lidhen me çështjen në fjalë t’i përgjigjen kërkesave të Komisionit Hetimor
Edhe
Sot seancë e jashtëzakonshme për rastin e dëbimit të shtetasve turq
Kuvendi mandaton Komisionin Hetimor të shqyrtojë përputhshmëritë e procedurave të ndjekura lidhur me këtë rast me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Haradinaj ironizon me deputetët
18:17 - Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka ironizuar me deputetët tjerë në fjalimin e tij në seancën e jashtëzakonshme për çështjen e deportimit të gjashtë “gylenistëve”.
Haradinaj tha se në rastin e deportimit të shtetasve turq janë bërë shkelje dhe pas kësaj institucionet menjëherë kanë ndërmarr masat, me shkarkimet e personave përgjegjës.
Ai ka shprehur habinë e tij se “deputetët po dinin shumë gjëra”, e disave u tha se iu ka mbet hatri që nuk kanë qenë deputet për ta votuar Hashim Thaçin president.
Haradinaj ka thënë se një komision hetimor duhet të hetojë përgjegjësit për këtë depërtim.
“Komisioni hetimor duhet të hetojë kush janë përgjegjës e të njëjtit t’i nxjerrim para përgjegjësisë e mos të filozofojmë shumë”, tha Haradinaj.
Zeka bën përgjegjës Thaçin dhe Pacollin për ngjarjen rreth “gylenistëve”
17:05 - Deputeti Milaim Zeka, për atë që e ka quajtur kidnapim të gjashtë shtetasve turq, përgjegjës i ka bërë dy persona, presidentin Hashim Thaçi dhe shefin e diplomacisë, Behgjet Pacolli.
Sipas tij, përgjegjës nuk janë as ish-ministri Flamur Sefaj, as ministri Abelard Tahiri, as AKI-ja e as komandanti i Policisë.
“Është Behgjet Pacolli, i cili pa qëllim e tha në televizion publikisht se urdhrin e ka dhënë shefi i AKI-së. Nëse ai e thotë se urdhrin e ka dhënë shefi i AKI-së, çfarë presim ne”, ka thënë ai.
Zeka ka thënë se nga krejt kjo situatë është krijuar një situatë e pasigurisë në Kosovë.
“Unë jam i bindur se as kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka ditur gjë për këtë punë, aq sa ne. Madje as Kadri Veseli nuk e kanë ditur. Por kur kryetari i parlamentit thotë se ka qenë në gjendje me shku privatisht në Aeroport me ndal aeroplanin me gjoks, për mu ka qenë edhe një dallgë më e madhe e pasigurisë”, ka thënë ai.
Ai ka shfrytëzuar këtë rast që të hedh akuza ndaj AKI-së, të cilën e ka cilësuar si “drejtori private për shantazhe”.
“Në këtë foltore kam thënë se AKI-ja është shërbim privat për të shantazhuar njerëz... Prandaj Driton Gashi është bira e fundit e kavallit”, ka thënë ai.
Selmanaj: SHIK-u e ka kapur AKI-në
16:45 - Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi me veprimet e tij po bëhet kërcënuesi më i madh për stabilitetin e Kosovës.
“E kanë huq adresën këta. Ka pushtete të ndara në Kosovë. Mos çuditeni pse Hashim Thaçi i di gjithë këto, a e dini pse, sepse e ka këshilltar të parë për siguri ish-kreun e AKI-së, Bashkim Smakën. Shefi aktual i AKI-së ka qenë anëtar i kryesisë së PDK-së në Prishtinë. SHIK-u e ka kapur AKI-në”, ka thënë ai në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po debatohet lidhur me deportimin e gjashtë gylenistëve në Turqi.
Selimi: Thaçi ka borxhe sepse ka bërë shumë pazare
16:15 - Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e ka quajtur rrëmbim deportimin e gjashtë shtetasve turq, duke thënë se shkarkimi i presidentit Hashim Thaçi do të duhej të ishte detyra e parë e Kuvendit të Kosovës.
Ai gjatë fjalimit të tij në Kuvend tha se Kosova është vendi i vetëm në Evropë që ka bërë ekstradime të tilla, ndërsa përgjegjës për këtë është presidenti Hashim Thaçi, raporton KP.
“Atë ditë ka rënë shteti ngase është ngritur mafia politike, e cila ka kapur majat e shtetit dhe institucioneve më vitale, si policisë, AKI-së dhe të tjera. S’do të themi se jemi avokatë të Gylenit, por as avokatë të Erdoganit. Thaçi ka shumë borxhe, se ka bërë shumë pazare. Ai shquhet për këtë”, është shprehur Selimi.
Tahiri: Turqia ka kërkuar nga Kosova ekstradimin e 47 personave
16:05 - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se Ministria e Drejtësisë ka pranuar nga Turqia kërkesën për ekstradim për shtatë persona.
Tahiri ka sqaruar se Kosova në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale bashkëpunon me shtetet tjera ose mbi bazën marrëveshjeve të nënshkruara dhe ratifikuara në Kuvend ose në bazë të reciprocitetit.
Ndërsa, vetëm në vitin 2017, Tahiri tha se kanë deportuar 344 persona.
“Më 11 tetor 2017 është përcjell nga ana e prokurorisë themelore në Prishtinë kërkesa për ekstradim të një shtetasi turk i cili është shqyrtuar nga gjykata dhe e ka hedhur poshtë këtë kërkesë. Me 5 dhjetor 2017 INTERPOL-i turk ka kërkuar arrestimin e një personi në Kosovë të cilën kërkesë departamenti për bashkëpunim juridik ndërkombëtar e ka kthyer prapa, pra për mos plotësimin e kushteve sipas ligjit. Pas plotësimit të kushtit, me 3 janar 2018 MD-ja e Turqisë ka kërkuar masën e arrestit të përkohshëm për personin në fjalë, kërkesë që sipas ligjit është dashur ta kalojmë për trajtim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë....nga këto 47 raste që përmenda asnjë nuk është ekstraduar nga këta që ka kërkuar Prokuroria e shtetit turk. Në vitin 2017 nga Kosova janë deportuar 344 persona. Për këta persona të deportuar nuk është në dijeni as presidenti, as kryeministri, as ministria e Drejtësisë sepse është përgjegjësi e policisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, për qëndrim të paligjshëm në Kosovë”, tha Tahiri.
Damka: Të deportuarit ishin pjesë e organizatës terroriste të Gulenit
15:29 - Deputeti nga partia Turke Fikrim Damka tha se është shumë me rëndësi që të ruhen marrëdhëniet me Turqinë.
Këto marrëdhënie sipas Damkës mund të kenë pasoja negative për shkak të një pjesë të opinionistëve për të shfajësuar ata persona që kanë lidhje me organizatën terroriste FETO.
Damka ka prezantuar siç tha ai “informata për lëvizjen terroriste FETO”.
Ai tha se kjo strukturat e kësaj lëvizje kanë qëllim shkatërrimin e sistemit të shtetit turk.
Kjo lëvizje ka bërë përpjekje për të rrënuar sistemin e drejtësisë si dhe kanë vjedhur testet shtetërore.
Sherifi: Deportimi i gylenistëve ishte aksion i fshehtë
15:22 - Shefi i GP të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, deklaroi se deportimi i gjashtë gylenistëve në Turqi ishte një aksion i fshehtë për të cilin duhet të japin përgjegjësi personat e përfshirë.
Edhe
Sërish debat për dëbimin e gjashtë shtetasve turq
Ai gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës tha se shtetasit turq në fakt janë rrëmbyer dhe i janë dorëzuar një shteti që shkel rëndë të drejtat e njeriut.
“Rrëmbimi dhe dorëzimi i tyre është krim ku duhet të japin llogari të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë ndërmarrje. Ne e kemi për obligim të hedhim dritë mbi këtë akt të shëmtuar dhe të dalin para drejtësisë ata që kryen këtë krim. Deputetët e Kuvendit kanë për obligim që aktet kriminale për përfitime individuale të dëmtojnë qytetarët tanë”, është shprehur Sherifi.
Isufi kërkon informacion zyrtar për deportimin e “gylenistëve”
15:13 - Shefi i GP të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se thelbësore për Kosovën është që nuk ka shmangie nga orientimi euroatlantik i saj, pasi janë bërë shumë investime qoftë nga SHBA, apo vendet mike.
Ai gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku po debatohet për deportimin e gjashtë gylenistëve, theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë, siç kanë qenë të mira në të kaluarën, duhet të jenë të mira edhe në të ardhmen, pasi kjo është në interesin e tyre.
Megjithatë, ai ka kërkuar një informacion më të plotë dhe zyrtar lidhur me deportimin e gjashtë gylinestëve më 29 mars në Turqi, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ketë një debat më serioz, i cili do të ndihmonte për rezolutën që mund të dalë nga Kuvendi i Kosovës.
Molliqaj e bën përgjegjës Thaçin për deportimin e “gylenistëve”
14:58 - Dardan Molliqaj nga Grupi i Deputetëve të Pavarur tha se presidenti i Kosovës publikisht e ka pranuar se marr pjesë në deportimin e shtetasve turq.
Molliqaj tha se është tashmë e ditur se personi që e ka ditur dhe ka marr vendim është presidenti i Kosovës.
Tash pyetja shtrohet a ka qenë korrekte në aspekt ligjor. “Me aq sa kam pa unë është deportim dhe jo ekstradim”, tha Molliqaj.
Molliqaj tha se sipas Ligjit për të Huajt kur rrezikohet siguria kombëtare nuk ka procedura.
Deputeti Molliqaj tha se tash shtrohet pyetja a e kanë rrezikuar këta persona sigurinë kombëtare.
Dy rryma që janë në Turqi sipas Molliqajt janë bërë betejë edhe në Kosovë. Molliqaj tha se presidenti Thaçi e ka shkaktuar krejt këtë.
Konjufca kërkon shkarkimin e Thaçit për rastin e “gylenistëve”
14:55 - Shefi i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi për deportimin e gjashtë gylenistëve në Turqi, ndërsa ka ironizuar me kryeministrin Ramush Haradinaj se “sikur të mos kishte televizor në shtëpi, ai nuk do të dinte se çfarë po ndodh në shtetin e tij”.
Gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, ku po debatohet për deportimin e shtetasve turq, Konjufca tha se dikush u bë shkaktar në Kosovë që vendi ynë të renditet në mesin e atyre pak vendeve që shkelin konventat ndërkombëtare.
“Javën e kaluar më së shumti jam gëzuar se kryeministri ka televizor në shtëpi, pasi mos ta kishte pasur TV nuk do ta kishte ditur se çfarë po ndodh në shtetin e vet. Por, ma mirë ishte sikurse të takonte Thaçin, pasi ai e di se çfarë ka ndodhur më së miri në Kosovë”, u shpreh Konjufca.
Ai tha se me deportimin e gjashtë shtetasve turq është shkelur Kushtetua e Kosovës dhe se lidhur me këtë dikush nga krerët shtetëror po gënjejnë.
“Ai që nuk po tregon të vërtetën është presidenti Thaçi. Ai dhe Erdogani kanë ndërtuar një raport joligjor me njëri tjetrin që mbështeten mbi konceptin e favorit ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë Konjufca.
“Më e mira do të ishte sikur ky Kuvend do të votonte për shkarkimin e Thaçit”, ka thënë Konjufca.
Krasniqi: Opinioni duhet ta dijë gjithçka me deportimin e “gylenistëve”
14:46 - Shefi i deputetëve të PDK-së Memli Krasniqi në seancën e jashtëzakonshme tha se Kuvendi duhet të qartësojë situatën që ka ndodhur me rastin e arrestimit të gjashtë shtetasve turq.
Krasniqi tha se edhe pas një jave nuk kanë asnjë raport në lidhje me rrjedhën e këtij rasti.
“Ajo që na duhet sot është qartësia për atë se çka ka ndodhur”, tha Krasniqi.
Sipas tij Kosova dhe Kushtetuta e saj në thelbin e saj ka theksuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut e po ashtu shqetësuese është mos respektimi i hierarkisë.
Krasniqi tha se bartësit institucionalë duhet të jenë të informuar dhe se deputetët dhe opinion duhet të informohet saktësisht se a ka pasur apo jo komunikim.
Qëndrimi i PDK-së është se shteti ligjor është mbi të gjitha dhe se të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejta të barabarta.
Hoti: Thaçi duhet të tregojë çfarë ka folur me Erdoganin
Grupi Parlamentar i LDK-së në seancën e sotme të Kuvendit par prezantuar rezolutën lidhur me deportimin e gjashtë shtetasve turq, e cila përbëhet nga katër pika.
Shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se më 29 mars kishte tejkalimin të autorizimeve kushtetuese dhe duhet të ketë përgjegjësi të plotë për gjithë zinxhirin komandues që ka marrë pjesë në këtë shkelje sipas konventës ndërkombëtare.
“Kërkojmë rezolutë që drejtori i policisë, drejtori i AKI-s, kryeprokurori i shtetit, ministri i Brendshëm, ai i Jashtëm, ai i Drejtësisë të raportojnë brenda tri ditësh me shkrim për procedurat që janë ndjekur me këtë rast. Kërkojmë formimin e komisionit parlamentar për të zbardhur këtë rast. Përgjegjësit e këtij skandali të japin përgjegjësi sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Kuvendi i Kosovës kërkon nga institucionet e rendit që përgjegjësit e këtij skandali t’iu sigurohet e drejta për gjykim të drejtë dhe transparent, përfshirë edhe të drejtën e ankesës”, ka thënë ai.
Hoti tha se me rastin e deportimit të gjashtë gylenistëve është shkelur ligji për të huajt.
“Ne të gjithë u shtangëm nga lajmi se gjashtë shtetas turq ishin kidnapuar në pikë të ditës. Ata u depërtuan me urgjencë në Turqi. Të shmangur kishin mbetur kryeministri, por jo edhe presidenti. AKI kishte kërkuar revokimin e lejes së qëndrimit pasi sipas saj përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Departamenti për shtetësi të njëjtën ditë kishte revokuar lejen e qëndrimit. Për shkak të deportimit me urgjencë, ata nuk kanë pasur mundësi të ankesës”, tha Hoti.
Takimi i krerëve të shtetit ndodhi në restorant privat.
Kryeministri nuk mundi të shkarkojë drejtorin e AKi-së, Kujt i raporton ky drejtor
Edhe
Haradinaj i përgjigjet Komisionit Hetimor për gylenistët, nuk dihet edhe për Thaçin
Ai u shpreh se imazhi i Kosovës është dëmtuar seriozisht, pasi konventa ndërkombëtare ndalojnë rreptësisht dëbimin e shtetasve në vendet ku rrezikohet trajtimi i tyre.
“Tentimi për shfuqizimin e ligjeve të specializuara dhe deportimi i shtetasve turq krijon pasiguri te qytetarët dhe miqtë tanë perëndimorë. Këto janë shenja të kapjes së shtetit nga një individ i vetëm. Thaçi doli haptas në mbrojtje të AKI-së. Ai duhet të bëjë transparente telefonatën me Erdogan pas deportimit. Ai ka shkelur Kushtetutën dhe pasojat e kësaj dihen”, ka thënë Hoti.