Me mospajtime mes pozitës e opozitës ka nisur sot seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me të vetmen pikë të rendit të ditës - Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Por, opozita nuk është pajtuar që ky projektligj të kalojë me procedura të përshpejtuara, ndërsa partitë në pushtet insistojnë të kalojë si i tillë, raporton KTV.
Opozita tha se nuk mund të votojnë me procedurë të përshpejtuar një projektligj që ka rreth 140 faqe e rreth 80 nene, për të cilin kanë edhe kritika. Avdullah Hoti i LDK-së tha se e përkrahin këtë projektligj nëse për votim do të dalin një ose dy nene, e që do të ishte vetëm për zëvendësimin e gjyqtarëve ndërkombëtarë me ata vendorë, tash pas përfundimit të mandatit të EULEX-it. Në të kundërtën LDK-ja ka kërkuar që si tërësi projektligji të shqyrtohet në procedura të rregullta.
E njëjta kërkesë ishte edhe nga Vetëvendosje e PSD-ja. Albulena Haxhiu ka thënë se në projektligjin e ri nuk flitet vetëm për përfundimin e mandatit të EULEX-it, por edhe për çështje të tjera që janë shumë arbitrare, të dëmshme dhe në disfavor të palëve, që në shumtën e rasteve janë punëtorët. Për PSD-në ky projektligj ka shumë probleme, e kryesorja, sipas tyre, është se reduktohet trupa nga një trup gjykues në një gjykatës të vetëm, që lë mundësi më të madhe dhe më të lehtë për keqpërdorime.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se opozita me këtë po tenton ta shtyjë funksionalizimin e Dhomës së Posaçme deri në fund të vitit. Ministri Abelard Tahiri tha se ajo çfarë është me rëndësi është se me këtë projektligj bëhet riorganizim i Dhomës së Posaçme dhe zëvendësohen gjyqtarët ndërkombëtarë me ata vendorë. Kryeministri Haradinaj tha se edhe kjo çështje lidhet me procesin e liberalizimit të vizave.
“Kjo është edhe një tregues i seriozitetit të marrëdhënieve tona me BE-në. Ju e dini liberalizimi është rend dhe ligj. Nëse Kosova tregon neglizhencë në marrje të përgjegjësive, mund ta nxjerr në pozicion kritikues”, ka thënë Haradinaj. Ai i bëri thirrje opozitës që të shqyrtojë këtë projektligj në lexim të parë, e pastaj leximi i dytë të ndodhë qoftë edhe brenda korrikut, por që të jetë para se Kuvendi të shkojë në pushime.
Deputetët e opozitës po kundërshtojnë shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji, ndërsa ata të pozitës këmbëngulin për rëndësinë që ka miratimi sa më parë i tij.
-
Opozita kritikon projektligjin për Dhomat e Posaçme dhe AKP-në
-
Kuvendi sot shqyrton Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme
-
Komisioni nuk miraton Projektligjin për Dhomën e Posaçme të Supremes
-
Mungesa e votave e shtyn për korrik ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Posaçme të Supremes
-
Opozita kritikon “urgjencën” për miratimin e projektligjeve