Vazhdimi i seancës ka nisur me propozimin e shefit të grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, që të formohet një komision ad-hock për të hartuar një rezolutë lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
Ai tha se është koha që të krijohet një komision at-hock nga Kuvendi i Kosovës dhe të gjitha deklarimet publike të partive politike t’i bashkojnë në një rezolutë, lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
“ Duke pasur parasysh deklarimet publike të të gjitha partive politike sidomos kohëve të fundit lidhur me sanksionimin e krimit të gjenocidit në Kosovë nga Republika e Serbisë, nga shteti, nga ushtria, nga policia nga të gjitha segmentet e aparatit shtetëror represiv të Serbisë në Kosovë mendoj që tani është koha të krijojmë një komision ad-hock nga Kuvendi i Kosovës dhe të gjitha deklarimet publike të partive politike të hyjnë në një rezolutë të përbashkët. Unë kam një propozim rezolutë do ta shtoj një komision pastaj jemi të hapur për të plotësuar apo për ta hequr sido që ne ta shohim të arsyeshme si komision pastaj ta sjellim në Kuvend”, tha Sherifi, transmeton kp.