Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Seanca e jashtëzakonshme shtyhet për nesër

20:18 - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka njoftuar se seanca e jashtëzakonshme do t’i vazhdojë punimet nesër në ora 14:00.

Ai gjatë një konferencë të mbajtur tani në hollin e Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se mospjesëmarrja e deputetëve të opozitës në seancën e sotme e ka dëmtuar shtetin e Kosovës.

Ndërsa kritikat më të ashpra ai ka pasur ndaj shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, për të cilin ka thënë se “nuk ka mbetur Kosova me mbrojt Avdullah Hoti”.

 


Shtyhet edhe një herë seanca e Kuvendit

19:43 - Është shtyrë edhe njëherë seanca e Kuvendit të Kosovës, e paraparë të niste në orën 18:30.

Deputetë Haxhi Shala dhe Donika Kadaj-Bujupi kanë thënë shkurt se seanca është shtyrë, teksa shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi ka deklaruar se “sonte s’do të mbahet seanca”.

Ata s’kanë bërë të ditur kur do të vazhdojë ajo.


Lista serbe vjen në Kuvend

18:44 - Tre deputetë të Listës serbe janë në sallë për seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga qeveria e Kosovës, raporton KTV.

Seanca e filluar nga ora 9:00 e mëngjesit është shtyrë dy herë dhe pritej të fillonte nga ora 18:30.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme pritet të votohet ekipi negociator i qeverisë, i propozuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.


Shtyhet përsëri seanca e Kuvendit

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë për KTV-në se seanca është shtyrë përsëri për orën 18:30.

Kjo seancë në të cilën pritej të votohej ekipi negociator i propozuar nga qeveria ishte shtyrë për 16:30, por është konfirmuar se seanca pritet të mbahet gjatë mbrëmjes.

Në sallë në pritje të nisjes së seancës për orën 16:30 ishin vetëm disa deputetë të PDK-së.

Artikuj të ngjashëm