Frekuentimi i lokaleve të gastronomisë së shpejti do të jetë i mundur vetëm me dozën e parë të vaksinës antiCOVID.
Pajtueshmëri për këtë çështje është arritur në mes të Shoqatës së Gastronomëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që të shmanget mbyllja e lokaleve pas rritjes së rasteve me COVID-19.
Megjithatë, qytetarët kanë mendime të ndryshme nëse shteti duhet të vendosë kufizime të tilla që çojnë deri në vaksinim të detyruar.
“Mua ma merr mendja që është vendim i duhur. Në shtete të perëndimit është ashtu, këtu në Kosovë nuk e di është më mirë me u marrë masa për mos me u përhapë virusi”, ka thënë Avdullah Gjakova, qytetar.
E disa nga ta, këtë mënyrë të imponimit për t’u vaksinuar e shohin si shkelje të të drejtave të njeriut.
“Nuk ka të drejtë askush të më detyrojë të marr vaksinën pa dëshirën time, as nuk ka të drejtë askush të më shtyjë të shkoj në spital të shërohem nëse nuk dua”, ka thënë Bujar Mullaliu, qytetar.
Megjithatë, zbatimi i kësaj mase e cila pritet të hyjë në fuqi brenda dy javëve po vlerësohet e vështirë.
Veton Zuka, kryetar i shoqatës së Gastronomëve të Prishtinës, thotë se ndonëse kjo masë do t’u kushtojë në klientelë dhe qarkullim, ka qenë opsioni i vetëm në mënyrë që të mos mbyllen lokalet.
“E kemi parë si problematike për t’u zbatuar si normë pasi që e dimë që vaksina nuk është obligative dhe atëherë bajagi problem ka me qenë edhe për ne me obligu ose së paku me kërku atë. Mirëpo, ne për të ju shmangur mbylljes atëherë duhet të provojmë një variant tjetër që shpresojmë që do të ndikojë në vaksinim”, ka thënë Zuka.
Zuka që njëherësh është pronar i një kafeneje në Prishtinë ka treguar mënyrën se si mund të bëhet zbatimi i kësaj mase.
“Çdo lokal e ka menaxhmentin e vetë dhe e dinë si mund të aplikojnë, mund të vendosin menaxherin ose këdo prej stafit dhe në momentin që dëshiron me hy në lokal atëherë vetëm ia kërkon nëpërmjet telefonit nëse e ka të fotografuar ose letrën me vete, vetëm kjo do të jetë”, ka thënë ai.
Masat e reja kundër COVID-19 janë paralajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë pas rritjes së rasteve të infektimit.