Përfaqësues të Organizatës Sundimi i Demokracisë në Kosovës (SDK) kanë kërkuar nga institucionet lokale dhe qendrore që të hartojnë strategji për zhvillimin e turizmin në fshatin Orllan të Podujevës.
Rexhep Zeka nga kjo organizatë, ka thënë se kjo pjesë e Komunës së Podujevës ka mjaft potencial edhe natyror edhe të monumenteve kultutore e historike që ndikojnë në zhvillimin e turizmit.
“Orllani me fshatra përreth është një ndër vendet më atraktive për zhvillimin e turizmit rural në Kosovë. Natyra këtij vendi i ka fal një pejzash magjepsë, me bjeshkë të ulëta e ku bukurinë ia shton edhe liqeni që gjendet në mes tyre, e gjitha kjo në një zonë me klimë kurative. Po ashtu Orllani me fshatra përreth ka edhe disa monumente kulturore e historike, siç është Kulla e heroit, Zahir Pajazitit, Xhamia e Brainës, monument i trashëgimisë kulturore e ndërtuar shumë vite më pare. Pastaj Kisha në fshatin Rakinic, objekt kulti që u ndërtua në dekadat e fundit të shekullit XV”, ka theksuar Rexhep Zeka.
Ai ka thënë se ka edhe artefakte që i takojnë kohës së neolitit, periudhës më të vjetër të kohës, e që sipas tij, do të ishte mirë të ekspozoheshin në një minimuze në Orllan.
“Këto janë vetëm disa nga potencialet e shumta për turizëm që ka Orllani me fshatra përreth, ka edhe shumë tjera monumente natyrore të cilat duhet të shenjëzohen. I gjithë ky potencial turistik e shumë tjera të paidentifikuara, duhet të jenë një zile në veshët e institucioneve lokale dhe atyre qendrore, për të hartuar një strategji të mirëfilltë për tërheqjen e vizitorëve si brenda dhe jashtë vendit, e ku natyrisht do të përkthehej në gjenerim të vendeve të punës për banorët e kësaj ane dhe jo vetëm”, është shprehur përfaqësuesi i SDK-së. “Zhvillimi i turizmit përmes një master-planit në këtë pjesë do duhej të ishte me prioritet për të mos thënë detyrim për institucionet lokale dhe qendrore, sepse ka ndikim pozitiv në tri drejtime: E para parandalon shpërnguljen e banorëve nga fshatrat sidomos të atyre në brezin kufitar; E dyta krijohet një shtyllë e re e zhvillimit ekonomik dhe gjenerimit të vendeve të punës për Komunën e Podujevës dhe jo vetëm; E treta dhe shumë e rëndësishme është që përmes zhvillimit të turizmit ne po i promovojmë vlerat tona kulturore, historike dhe ato tradicionale mikëpritja dhe ushqimi”.