Arbëri

S’dihet numri i kandidatëve për policë në veri, skepticizëm se do të plotësohen vendet boshe

Të premten ka përfunduar konkursi për pranimin e policëve të rinj nga radhët e komuniteteve që do të angazhohen në katër komunat në veri të vendit. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Polici nuk kanë treguar gjatë ditës se sa është numri i aplikuesve dhe nga cilat komunitete vijnë ata

Ka përfunduar të premten afati dhjetëditësh për pranimin e aplikacioneve për pranimin e policëve të rinj që do të angazhohen në katër komunat në veri të vendit.

Kjo është përpjekja e dytë, brenda një muaji, për zëvendësimin e policëve të dorëhequr në muajin nëntor.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Policinë e Kosovës nuk kanë dhënë informata për numrin e kandidatëve që kanë aplikuar. Në MPB kërkuan që pyetjet t’i drejtohen Policisë.

“Për këto pyetje ju lutem drejtohuni në Policinë e Kosovës”, ka thënë MPB-ja.

E në Policinë e Kosovës ndonëse kanë konfirmuar pranimin e pyetjeve, nuk kanë kthyer përgjigje gjatë së premtes.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami shprehet skeptik nëse edhe kësaj radhe, do të plotësohen vendet boshe në Polici.

“Edhe vetë MPB e ka pas të ditur se duke ditur pozicionin politik të Listës Serbe, e cila është satelit i Beogradit, që nuk do të lejojnë që të plotësohet numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb. Pra është e ditur që prapë duhet të shpallet konkurs për pranimin e policëve të rijnë, prapë mund të shpallet por që pa një vendim politik nga Lista Serbe e cila udhëheq me veriun e Kosovës, dhe nga një vendim politik i Qeverisë së Beogradit nuk do të plotësohet numri i mjaftueshëm për plotësimin e vendeve vakante në Policinë e Kosovës”, ka thënë Islami.

Krahas policëve, në nëntor të vitit të kaluar dorëheqje kanë dhënë edhe prokurorët dhe gjyqtarët serbë në veri, por për dallim prej policëve, dorëheqja e tyre ende nuk është pranuar nga Këshilli Prokurorial dhe Gjyqësor.

Lidhur me shqyrtimin e këtyre dorëheqjeve nuk janë përgjigjur në asnjërën prej këtyre dy institucione. Nëse do të ketë konkurse për plotësimin e pozitave boshe, nuk kanë dhënë sqarime as në Ministrinë e Drejtësisë.

“Për të gjitha pyetjet e shtruara, ju lutem të drejtoheni në organet kompetente – Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial të Kosovë”, ka thënë MD-ja.

Në javën e parë të nëntorit të vitit të shkuar, qindra serbë janë dorëhequr nga Policia, Gjykata, Prokuroria, si dhe nga institucionet lokale e qendrore të Kosovës.

Dorëheqjen e arsyetuan si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë për ndalimin e përdorimit të targave ilegale që i lëshon Serbia.