Deri të enjten, serbët e veriut do të mund të aplikojnë për t’u rekrutuar policë në komunat e këtij rajoni. Por, institucionet nuk treguan për interesimin e deritashëm të serbëve, për të veshur uniformën blu. Njohës të procesit të dialogut Kosovë-Serbi thonë se, pas dorëheqjeve në polici, zgjidhja duhet kërkuar në Bruksel
Më pak se një javë kohë ka mbetur deri në përfundimin e afatit për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës në veri të vendit. Konkursi i hapur më 5 janar do të përmbyllet të enjten e fundit të muajit dhe është hapur pas dorëheqjes së policëve serbë gjatë nëntorit.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë informata për numrin e kandidatëve serbë që kanë aplikuar deri tash. Në këtë institucion nuk kanë ofruar përgjigje as për numrin e zyrtarëve policorë që synon t’i rekrutojë.
“Konkursi është hapur dhe është bërë publik, ndërsa sa u përket zhvillimeve të mëtejme rreth konkursit në fjalë do të informoheni me kohë sipas planifikimeve/fazave që parashihen. Sa i përket numrit të angazhuar varësisht nga nevojat e strukturës organizative do të parashihet edhe personeli. Policia e Kosovës çdo herë inkurajon dhe fton qytetarët që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, thuhet në dy përgjigjet që KOHA ka marrë nga Policia e Kosovës.
Rikthimi i serbëve në institucione ishte një prej kërkesave që ndërkombëtarët kanë përcjellë gjatë vizitave në Kosovë kohëve të fundit. E njëjta është përsëritur e konfirmuar edhe nga diplomatët në Kosovë.
Në mesin ambasadorëve të akredituar në Prishtinë që e ka kërkuar këtë, është edhe ai i Gjermanisë, Jorn Rohde.
Derisa konfirmoi se ka qëndrim të njëjtë me këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, Rohde tha se “tërheqja e serbëve nga institucionet nuk është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit”.
“Kthimi i menjëhershëm është i nevojshëm dhe duhet të lehtësohet nga të gjithë. Dua të nënvizoj se BE-ja dhe SHBA-të janë plotësisht në linjë këtu”, shkroi ambasadori gjerman, më 12 janar.
Por, kryeministri Albin Kurti në disa raste ka thënë se vendet vakante pas dorëheqjeve masive në veri, do të plotësohen nëpërmjet konkurseve. Ai ka theksuar se u ka bërë thirrje serbëve që të mos dorëhiqeshin, porse nuk mund t’u bëjë thirrje tani që të kthehen, meqë plotësimi i vendeve do të bëhet me konkurs e në bazë të ligjeve.
Në Qeveri nuk kanë kthyer përgjigje prej më shumë se një jave, në lidhje me planifikohet për plotësimin e pozitave të lëna bosh nga zyrtarët serbë.
Marrëveshjet për integrimin e serbëve në veri ishin bërë në kohën kur kryenegociatore ishte Edita Tahiri.
Ish-këshilltari i saj, Visar Xani, ka thënë se zgjidhja duhet të gjendet në Bruksel.
“Zgjidhja e problemit të pozitave vakante me zyrtarë të ndryshëm, qofshin në sektorin e drejtësisë, sigurisë, apo edhe në fushat e tjera do të duhej të ngrihej si shqetësim edhe në Bruksel, për shkak që i gjithë problemi vjen nga Beogradi dhe nga presioni i Beogradit që të mos i lejojë qytetarët e Kosovës, civilët, të aplikojnë në pozicione të rëndësishme dhe në pozicione të hapura ose vakante në institucionet e Kosovës”, ka thënë Xani.
Sipas tij, serbëve tani duhet t’u krijohet hapësira që të ndihen të lirë të aplikojnë për vende pune në institucionet e Kosovës.
“Historikisht ka pasur probleme. Sot kemi bojkot të përgjithshëm dhe në të njëjtën frymë konsideroj që të adresohet politikisht ky problem dhe bashkësia ndërkombëtare, siç janë SHBA-ja dhe Brukseli, të bëjë presion mbi Beogradin dhe t’i lejojë qytetarët e Kosovës të aplikojnë me qëllim që pozitat vakante të plotësohen”, ka thënë ai.
Në javën e parë të nëntorit të vitit të shkuar, qindra serbë janë dorëhequr nga institucionet e Kosovës, përfshirë nga Policia, Gjykata, Prokuroria, si dhe nga institucionet e administratës lokale e qendrore. Dorëheqjet e tyre u bënë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë për targat ilegale që i lëshon Serbia.