Saranda Ramaj e Kohës Ditore, është fituese e këtij viti në garën për artikullin më të mirë kundër korrupsionit.
Artikulli i saj “Abuzimi me blerjen e barnave në MSH”, botuar fillimisht në Kohën Ditore, e më pas e zgjeruar edhe si dokumentar në bashkëpunim me KTV-në dhe Institutin Columbus, me titull “Depoja e keqpërdorimeve farmaceutike” është fitues i garës.
Brenda dy vitesh Ministria e Shëndetësisë kishte humbur rreth 15 milionë euro për shkak të blerjeve shumë të shtrenjta të produkteve të Listës Esenciale të barnave. Kjo ministri ka përzgjedhur fituesit e tenderëve me çmime shumëfish më të shtrenjta sesa çmimi real i tyre. Një gjë e tillë cilësohet si e jashtëligjshme me Ligjin e Prokurimit Publik, që e rregullon këtë çështje. Nëse krahasohen çmimet e fituesve të tenderit për këto produkte del që janë shumëfish më të shtrenjta edhe sesa produktet në tregun privat – barnatore, por edhe shumëfish më të shtrenjta se të njëjtat produkte që janë blerë nga MSH-ja vitet e kaluara.
Në garë për këtë çmim ishin edhe Jeta Xharra dhe Faik Ispahiu, me serinë e shkrimeve “Aksham Pazar me Aeroport Ndërkombëtar”, Jeton Sopa, me artikullin “Zyrtari i Komunës së Prishtinës “kapet mat” duke pranuar ryshfet” dhe Besnik Boletini e Besa Kalaja me artikullin “Dera e Punësimeve”.
Çmimi ndahet i gazetarisë “Antikorrupsion 2018”, u nda nga UNDP dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Edhe
Paunoviq mohon se ka marrë pagë pas mbylljes së një institucioni në Kosovë
Pasi ka pranuar këtë çmim, Ramaj ka thënë se është një ndiejnë e veçantë marrja e këtij çmimi dhe shtoi se trajtimi i kësaj teme, ka bërë që të zbardhet një keqpërdorim i tillë, ndërsa trajtimin e kësaj teme ajo e cilësoi si gazetari origjinale.
Ulirka Richardson, përfaqësuese e UNDP-së në Kosovë, tha se është e rëndësishme për gjithë komunitetin në Kosovë që të ketë sa më shumë gazetari hulumtuese, në mënyrë, siç thotë ajo të ketë një pasqyrim real të gjendjes në Kosovë.
Ndërsa në lidhje me storjet, ajo tha se të gjitha kanë dhënë mesazhin e duhur.
Në njoftimin për media të UNDP-së, thuhet se për më shumë se një dekadë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë lartëson punën e gazetarëve të guximshëm të cilët janë të përkushtuar për të zbuluar të vërtetën dhe për të sjellë në dritë raste që ndikojnë tek të gjithë.
“Pa punën e gazetarëve hulumtues që kërkojnë llogaridhënie dhe informojnë publikun për çështjet që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme, nuk do të kishte luftë të suksesshme kundër korrupsionit”, thuhet në njoftim.
Këtë vit, shpërblimi për storjen më të mirë kundër korrupsionit, të botuar apo transmetuar në cilëndo medie në Kosovë, mbuloi periudhën nëntor 2017 - nëntor 2018.
32 gazetarë kanë aplikuar me 41 storje. Tregime që trajtonin qoftë ryshfetin e imët të zyrtarëve publikë qoftë skemat e mashtrimit shumë milionëshe. Tregime rreth nepotizmit, rreziqet shëndetësore në ushqim dhe medikamente, rreziqet e sigurisë gjatë fluturimeve. Tregime që tregojnë pa mëdyshje se si korrupsioni ndikon negativisht në jetën e secilit person, thuhet në njoftim.
Edhe
Bajrami: Gjendja në shëndetësi e ka emrin korrupsion
Procesi i përzgjedhjes këtë vit ka përfshirë një strukturë të barabartë të ndarë në tresh. Shoqata e Gazetarëve në Kosovë formoi panelin profesional të gazetarëve që raportojnë për mediat ndërkombëtare. Paneli i dytë ndërkombëtar përbëhej nga zyrtarë nga Ambasada Zvicerane, Ambasada e Shteteve të Bashkuara, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, OKB dhe Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit.
Këtë vit përzgjedhja përfshiu edhe publikun për të promovuar punën e jashtëzakonshme në gazetarinë kundër korrupsionit dhe për të inkurajuar njerëzit që të lexojnë dhe të shikojnë këto tregime dhe të reflektojnë mbi to ndërsa shënojmë Ditën Ndërkombëtare Kundër-Korrupsionit. Storjet e katër kandidatëve që morën rezultatet më të larta u vendosën në Facebook dhe secili që kishte një FB llogari në mund të shihte dhe të votonte storjen e tyre të preferuar. Mbi 1,700 lexues dhe shikues e bënë këtë. Secila prej dy paneleve dhe votimi publik patën 33 për qind të pikave të përgjithshme për përzgjedhjen e fituesit.