Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sanduloviqi publikon fotografinë e fëmijëve të Jasharëve: A ishin terroristë këta shqiptarë?

Politikani opozitar në Serbi, Nikola Sanduloviq, ka publikuar fotografinë e fëmijëve të familjes Jashari, të cilët u vranë më 5,6 dhe 7 mars të 1998-s.

Krah fotografisë së publikuar në llogarinë e tij në “X”, Sanduloviqi ka pyetur nëse këta fëmijë shqiptarë që u vranë me urdhër të kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq, ishin terroristë.

“A janë terroristë këta fëmijë shqiptarë? Shikojeni mirë këtë foto, sepse këta janë fëmijët e vrarë të familjes Jashari. Ata u vranë me urdhër të kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq. Në mesin e këtyre fëmijëve ishte edhe vajza shtatëvjeçare Blerina Jashari, e cila u vra nga një plumb në pjesën e pasme të kokës”, ka shkruar ai.

Më tej ai ka përmendur rastin kur ka vendosur lule te varri i Blerina Jasharit, duke kërkuar falje të emër të serbëve, për çka më pas është rrahur nga policia sekrete serbe.

“Kryetari i Partisë Republikane në Serbi, Nikola Sanduloviq, vendosi lule në varrin e saj, kërkoi falje në emër të serbëve që nuk e bënë këtë krim dhe kërkoi falje në emër të paqes dhe të ardhmes së popullit serb dhe shqiptar në Kosova. Kjo është arsyeja pse ai u rrëmbye, u torturua, u poshtërua dhe u rrah për vdekje nga policia sekrete serbe BIA me urdhër të spiunit të dekoruar rus Aleksandar Vulin dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Kur Nikola Sanduloviq mbeti i gjallë pas 9 orësh torturash, departamenti i antiterrorizmit hyri në prokurori dhe gjykatën nga Nishi dhe e akuzoi atë për nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare, me vendosjen e luleve në varrin e 7-vjeçares së vrarë”, thuhet më tej në postim.