Me deklarata inkurajuese, por pa ndonjë rezultat konkret, ka përfunduar Samiti i Berlinit, u cili u thirr dhe u organizua nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në përpjekje për t’u dhënë shtytje proceseve të pajtimit dhe integrimit në Ballkanin Perëndimor.
Pas përfundimit të takimit në një deklaratë të Qeverisë gjermanë është thënë se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për të çuar përpara përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe për një angazhim konstruktiv në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve reciproke, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se emërues i përbashkët i të gjitha diskutimeve ishte fakti se, siç tha ai, “u pajtuam për të mos u pajtuar”. Thaçi tha po ashtu se një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Serbia duhet ta njohë Kosovën pa kushte dhe dialogu duhet të vazhdojë pa kushte. Shpresoj në një unitet të Bashkimit Evropian. Dëgjuam gjithashtu një mbështetje edhe të vendeve të rajonit për procesin që kemi kaluar. Në çdo rrethanë, Kosova do të mbetet multi-etnike, nuk do të ketë shkëmbim të territoreve, gjithmonë në përpjekje maksimale të mija për përfshirjen e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi presidenti i Kosovës.
“Por, ritheksoj se vendimtare për arritjen e marrëveshjes është inkuadrimi dhe mbështetja e SHBA-së", u shpreh Thaçi. Ai në samitin e Berlinit ka folur për nevojën e demarkimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.