Arbëri

Samiti i BE-së pritet të ketë inkurajime, por edhe kërkesa për Kosovën

Nga të gjitha takimet për Kosovën pritet të ketë edhe inkurajime, edhe kërkesa. Si inkurajim pritet të jenë thirrjet që Kosovës t’i liberalizohen vizat, edhe pse një vendim nuk pritet në këto takime. Por nëse në nivelin më të lartë politik mbështetet liberalizimi i vizave, atëherë edhe në nivelet e grupeve punuese në Këshill të BE-së mund të nisë procedura për t’u përmbyllur gjatë kryesimit të Çekisë me BE-në

Një javë e ngjeshur pritet të jetë në Bruksel, edhe kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, e sidomos për Kosovën. Të martën priten takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kësaj radhe me shpresë se do të arrihet një pajtim përfundimtar për marrëveshjen për energji, e ndoshta edhe për deklaratën për të pagjeturit. Ndërsa të enjten në mëngjes do të zhvillohet Samiti i liderëve të vendeve të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor, ku Kosovën pritet ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani. Më pas liderët e BE-së do të zhvillojnë Samitin e Këshillit Evropian në nivel të 27 shefave të shteteve apo qeverive. Edhe në këtë samit të BE-së procesi i zgjerimit dhe Ballkani Perëndimor do të jenë temat kryesore. Ata do të diskutojnë edhe për rezultatet e konferencës për të ardhmen e Evropës, e zgjerimi tash përmendet si një prej temave që ka të bëjë edhe me këtë të ardhme të kontinentit.

Kur është fjala për të ardhmen e Evropës dhe raportet me vendet që nuk janë akoma anëtare të BE-së, pritet të diskutohet edhe për propozimin e presidentit të Francës, Emanuel Macron, për krijimin e një “Bashkësie politike evropiane”. Franca gjatë javës së fundit kishte qarkulluar një letër të shkurtër në formën e “non-paper”, ku sqaronte idetë e saja për krijimin e kësaj bashkësie. Franca argumentonte se krijimi i kësaj kornize politike, ku do të bashkëpunonin dhe bashkëvepronin të gjitha vendet evropiane që duan të ndajnë vlerat e përbashkëta, nuk do të jetë zëvendësim për anëtarësimin në BE për ato vende evropiane që duan. Për më tepër, Franca e sheh krijimin e një strukture të tillë si mundësi që në çështjet me interes të përbashkët të bashkohen edhe vendet që duan, por nuk janë akoma në BE, si vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Lindore, por edhe vendet që nuk duan të jenë në BE, si Britania e Madhe, Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe të tjerat. Pritet që kjo ide të përmendet edhe në konkluzat e Samitit.

Ky samit do të diskutojë edhe dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, për të cilat Komisioni Evropian ka rekomanduar të premten.

Nga të gjitha këto takime për Kosovën pritet të ketë edhe inkurajime, edhe kërkesa. Si inkurajim pritet të jenë thirrjet që Kosovës t’i liberalizohen vizat, edhe pse një vendim nuk pritet në këto takime. Por nëse në nivelin më të lartë politik mbështetet liberalizimi i vizave, atëherë edhe në nivelet e grupeve punuese në Këshill të BE-së mund të nisë procedura për t’u përmbyllur gjatë kryesimit të Çekisë me BE-në.

Kërkesat ndaj Kosovës pritet të jenë lidhur me dialogun. Në draftin e konkluzave për këtë samit, në të cilin ka pasur qasje edhe “Koha Ditore”, thuhet se “Këshilli Evropian përsërit urgjencën për të bërë progres të prekshëm në zgjidhjen e mospajtimeve ekzistuese bilaterale dhe rajonale, mes të tjerash në dialogun Beograd-Prishtinë, për të mbështetur normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës”.

Këshilli do të bëjë thirrje për thellim të raporteve midis vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Pas rekomandimit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit të kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, janë rritur thirrjet që BE-ja të jetë më fleksibile edhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat për vite janë duke pritur në radhë në procesin e integrimit në BE. Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova, krahas Gjeorgjisë, e cila mori vetëm rekomandimin nga Komisioni për “perspektivën evropiane”, mbeten tash të vetmet vende, jo vetëm në rajon, por në tërë Evropën, që duan të anëtarësohen në BE, por nuk ka as rekomandim nga Komisioni Evropian për status kandidati. Bosnjë-Hercegovina kishte aplikuar para më shumë se gjashtë vjetësh për anëtarësim në BE, por Komisioni ka vlerësuar se ky shtet nuk i ka përmbushur kushtet për status kandidati dhe i ka dhënë 14 kushte që duhet përmbushur për të marrë një rekomandim të tillë. Kosova nuk ka aplikuar fare, ndërsa Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se gjatë këtij viti do ta dorëzojë kërkesën formale për anëtarësim në BE. Kosova ka si pengesë faktin se nuk është njohur si shtet nga 5 vende anëtare. Ndonëse ato vende janë në pakicë, pasi 22 vendet e tjera anëtare e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, BE-ja për çështjet e zgjerimit vendos me pajtimin e të gjitha vendeve anëtare.