Arbëri

Sallahu tregon dy vendimet që mund t’i marrë Kushtetuesja lidhur me Kuvendin

Blerim Sallahu

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka dy zgjidhje kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. 

Ai ka thënë se një nga zgjidhjet është që Kushtetuesja t’ia japë autorizimin presidentes Vjosa Osmanit që t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme. 

“E para, Gjykata Kushtetuese mbi bazën e nenit 67 par. 4 të Kushtetutës duhet të vlerësojë qartë se refuzimi i Listës Serbe për ta propozuar kandidatin nga radhët e saj për nënkryetar të Kuvendit, nënkupton që ky subjekt politik ka hequr dorë nga kandidati i tyre për nominim për nënkryetar të Kuvendit dhe si i tillë Kuvendi i Kosovës tashmë e ka përmbyllur fazën kushtetuese të konstituimit të vet.  Një situatë e ngjashme është  përcaktuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për krijimin e qeverisë ku mosparaqitja e mandatarit është vlerësuar si humbje e të drejtës kushtetuese për ta paraqitur mandatarin nga subjekti politik që i ka fituar zgjedhjet. E dyta, meqë Kuvendi i Kosovës tashmë ka ezauruar edhe procedurën e shortit të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit nga tri herë për secilin kandidatë, atëherë aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese është ekzekutuar në tërësi, ku në mungesë të vullnetit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin, Gjykata Kushtetuese duhet t’i japë autorizim Presidentes së vendit që t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme duke u bazuar në nenin 82 të Kushtetutës sipas analogjisë”, ka shkruar Sallahu në Facebook. 

Ai ka thënë se çdo vendim tjetër do të jetë kundërkushtetues. 

“Secili vendim tjetër, në formë kundërkushtetuese Republikën tonë e bën të varur nga një subjekt politik i cili çdo ditë minon rendin kushtetues të vendit tonë”, ka shkruar Sallahu. 

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të premten masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit, nëpërmjet së cilës u ka ndaluar deputetëve që të ndërmarrin çfarëdo veprimi apo procedure për formimin e Qeverisë së re. 

Vendimi është marrë ex officio dhe është i bazuar në kërkesën e 9 deputetëve të Listës Serbe (LS) dhe të deputetit goran, Adem Hoxha, lidhur me mënyrën e votimit për nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë. Masa e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga premtja, do të zgjasë deri më 30 shtator, kur më së largu do të pritet një vendim përfundimtar për çështjen.

"Gjykata Kushtetuese njëzëri vendosë - TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve, masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë; TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025”, thuhet në vendim.