Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka arsyetuar reagimin e ashpër të ministrisë ndaj shoqërisë civile e mediave, lidhur me audioincizimet e publikuara nga një portal e të cilat inkriminojnë disa prej figurave kryesore të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Sallahu ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së se MD-ja kishte pritur prej shoqërisë civile dhe mediave që t’i analizonin më mirë përgjimet e publikuara.
“Prej shoqërisë civile dhe mediave kemi pritur që këto publikime të analizohen dhe të komentohen pak më shumë sepse bëhet fjalë për krerët e sistemit të drejtësisë. Shoqëria civile dhe mediat e tjera nuk e kanë publikuar. Kanë publikuar shumë pak, pra ka mbetur e mbyllur. Shoqëria civile duhet edhe të kritikojë edhe të lavdërojë kur ka punë të mirë ose të keqe, varësisht nga puna që bëhet në Prokurorinë e Shtetit. Ka ndodhur një gjë e keqe, një gjë që ka cenuar integritetin institucional të sistemit të Prokurorisë dhe gjyqësisë. Duhet të ketë zë kritik ndaj punëve që cenojnë integritetin e sistemit të drejtësisë”, ka thënë Sallahu.
Ai ka thënë se ministrja Haxhiu në konferencën për media të mërkurën ka kërkuar që shoqëria civile të ushtrojë funksionin e saj duke kritikuar një të keqe që ka ndodhur brenda sistemit të drejtësisë.
“Nuk ka çka të çuditemi këtu. E keqja ka ndodhur, sistemi i drejtësisë është cenuar. Nuk ka qartësi më të madhe sesa ato përgjimet, janë të involvuar njerëzit kryesorë të sistemit të drejtësisë”, është shprehur Sallahu.