Arbëri

Salihu: PDK-ja shënoi autogol me moskandidimin e Lladrovcit në Drenas

Analisti Bekim Salihu ka thënë se Lista Serbe ende nuk ka paraqitur kandidatët për komuna, duke shtuar se nëse nuk e bën një gjë të tillë do të krijohet mundësia që sërish kryetarë të komunave veriore të jenë kandidatët shqiptarë.

Ka thënë se nuk ka risi në listat zgjedhore duke potencuar se partitë politike nuk kanë punuar  shumë  në këtë drejtim.

Duke folur për moskandidimin e Ramiz Lladrovcit për kryetar komune të Drenasit, ka thënë se PDK-ja ka dërguar mesazh jo  të mirë për imazhin e saj si parti.

“Ky është një vendim që do të shënojë autogol për PDK-në. Përmes këtij vendimi i kanë sfiduar dhe kandidatët e tjerë në komuna të tjera. Lladrovci e ka marrë mandatin në vitin 2016. Gjatë kësaj periudhe Komuna e Drenasit katër herë radhazi  ka dalë e para. Ai është vlerësuar  si kryetar aktiv”, ka thënë ai.

Sipas tij, nisur nga kjo, një subjekt i rregullt do ta rikandidonte.

Ka shtuar se moskandidimi ka ardhur si interferencë apo ndikim nga akterë të tjerë të partisë për shkak të qëndrimeve që Lladrovci ka pasur kohëve të fundit.

“Lladrovci ka emër në Drenas ndërkaq PDK-ja ka strukturë. Lladrovci ka paralajmëruar që do t’i hyjë garës, por nuk ka treguar nëse do t’i bashkohet ndonjë partie apo si kandidat i pavarur”, ka thënë ai.

Sipas tij, PDK-ja  në Drenas ka dashur ta ndëshkojë Lladrovcin  dhe ta mbajë komunën.

Ka shtuar se krahasuar me vitet tjera, gara në kryeqytet nuk është e fuqishme.

“Subjektet politike në këtë kohë duhet të jenë të matura”, ka thënë ai.