Bekim Salihu, analist politikash në Institutin GAP, ka thënë se ndryshimi i qëndrimit të Listës Serbe për zgjedhje të reja në veri, është si rezultat i fitores së Kosovës në konfrontimin në Banjskë.
Të premten, partia më e madhe e serbëve në Kosovë njoftoi se është tërhequr nga kushtet e mëhershme për pjesëmarrje në zgjedhjet komunale në veri - që ishin largimi i njësive speciale nga veriu dhe themelimi i Asociacionit. Në koordinim me Beogradin zyrtar ky subjekt ka kërkuar dorëheqje të kryetarëve për t’u hapur rrugë zgjedhjeve, megjithëse Qeveria miratoi udhëzimin që atyre t’u hapet rrugë përmes peticionit për shkarkimin e kryetarëve. Përfaqësues komunalë në veri e kanë quajtur lojë politike të Beogradit dhe Listës Serbe duke përjashtuar mundësinë që të dorëhiqen nga postet e tyre.
Sipas Salihut, pas këtij ndryshimi të qëndrimit të Listës Serbe, Kosova duhet të pajtohet për zgjedhje në veri, por me kushtin që flamujt të mbesin në objektet komunale.
“Lista Serbe i braktisi institucionet, ndërsa për t'u rikthyer e vendosen kusht, formimin e asociacionit. Asociacioni nuk u formua, ndërsa ky subjekt kërkon t'u kthehet institucioneve. Ky është rezultat i fitores se Kosovës gjatë konfrontimit në Banjskë. Nëse formacioni i Serbisë do të kishte avantazh në terren, serbet do të tërhiqeshin edhe nga komunat në jug. Tani, Kosova nuk bën të tregohet e pamatur. Duhet pajtuar për zgjedhje në veri, por me një kusht, që flamujt e Kosovës në objektet e komunave nuk mund e duhet hequr, kjo është edhe në përputhje me marrëveshjen e Ohrit”, ka shkruar ai në Facebook të shtunën.
Në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator, nga një grup i uniformuar dhe armatosur serb u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë së Kosovës u vranë tre sulmues, ndërsa pjesa më e madhe e grupit ka arritur të ikte. Ngjarjet e Banjskës ndodhën pas disa muajsh tensionesh në veri, qëkur në fillim të vitit në veri të Kosovës u organizuan zgjedhjet komunale, që u bojkotuan nga serbët e për herë të parë u fituan nga partitë shqiptare. Serbët lokalë nisën protestat e dhunshme duke kundërshtuar ushtrimin e detyrës së kryetarëve nga objektet komunale.