Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Salihu: Instituti i ri për krime lufte të hapet pas formimit të qeverisë

Profesori i të drejtës penale, Ismet Salihu, e ka quajtur ironike vendimin për rihapjen e Institutit për dokumentimin e krimeve të luftës.

Është ironike, thotë ai, “sepse pikërisht ata që e kanë mbyllë këtë institut, tash kanë marrë hapa për rihapjen e tij”.

Salihu në Express Intervistë tha se nuk qëndron arsyetimi që ishte dhënë se Instituti nuk kishte punuar sa duhet për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë, pasi shtoi se është punuar maksimalisht. Ndërsa, tha se nuk është kontaktuar nga Qeveria për formimin e grupit të ri për krime.

“Më patën ftuar në takimet e para sa ishte qeveria Kurti. Tani ministri i ri ka formuar një grup të ri, me mua nuk kanë kontaktuar fare. Është dashtë të më kontaktojë për shkak të përvojës që kam”.

Salihu tha se ky grup përfaqësohet nga njerëz joprofesionalë, ndërsa ka kërkuar që të ndalet puna e tij.

“Atë grup që e pash, në krye të atij grupi, ai njeri nuk ka lidhje me këto punë, është aktivist politik i angazhuar por nga afër nuk ka përgatitje profesionale dhe lidhur me këtë iniciativë të kësaj qeverie në shkuarje, mirë është të ndalet kjo punë sepse sipas gjasave do t’i punësonin 15 persona që sipas gjasave do jenë partizantë të partive, lagjeve apo fshatrave të tyre”, tha ai.

Ai tha se mbyllja e Institutit tregon joseriozitetin shtetëror për çështje me rëndësi.

“Kjo tregon joseriozitetin dhe joprofesonializmi, jopërgjegjësinë e çështjeve të rëndësishme shtetërore. Nëse dikush nga jashtë vjen të kërkojë të dhëna të dokumentuara për krime të luftës në Kosovë, ai nuk di ku të adresohet”.

E, sipas Salihut, është bërë shkëputje e madhe e punës pas mbylljes së Institutit, për çka fton të rihapet sërish.

“Është bë një shkëputje e madhe. Çdo vit që kalon prej momentit të krimeve, është vit i humbur dhe fillojnë të zbehen dëshmitë, dëshmitarët disa ndërrojnë jetë, disa nuk dëshirojnë t’i rikujtojnë tmerret. Duhet urgjentisht të rithemelohet instituti. Në këtë hallakamë politike, në këtë përzierje, të gjitha janë ushtrues detyre nga kryeministri, mirë është që kjo punë të ndalet deri sa të formohet qeveria e re. Përndryshe nëse formohet tash, asgjë nuk do të ketë”, përfundoi ai.

Artikuj të ngjashëm