Përpjekja e mëhershme sipërfaqësore për legalizimin e ndërtimeve pa leje ka bërë që ky proces të jetë ende në fillet e tij.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, arkitekti Abër Sadiki ka thënë se problemi i legalizimit të ndërtimeve pa leje është shumëdimensional dhe shumështresor. Sipas tij, ndër problemet më të mëdha në këtë sferë do të jetë çështja e pronësisë së objekteve shumëbanesore. Ai thotë se shumë kompani investuese nuk ekzistojnë, ndaj pas realizimit të profitit pronarët nuk kanë bërë asnjë hap për legalizimin e objekteve të ndërtuara.
Arkitekti Sadiki mendon se kryeqyteti kosovar është dëmtuar rëndë me numrin e madh të ndërtimeve pa leje, porse thotë se ka mundësi që gjërat të përmirësohen në proces. Legalizimi i ndërtimeve pa leje, sipas tij, nuk mund të kundrohet nga prizmi i afatit kohor, porse procesi mundëson vendosjen e kontrollit ndaj lagjeve apo objekteve shumëkatëshe informale.
Me legalizim, sipas tij, nuk vendoset prerazi rendi urban, teksa për ta rritur cilësinë e jetës nëpër lagje nevojitet edhe rrënimi i ndonjë objekti.
KD: Z.Sadiki, legalizimi i ndërtimeve pa leje në Kosovë prej 20 vjetësh nuk është trajtuar me prioritet, ndaj sot ka lagje të tëra të karakterit joformal. Pse është kaq i komplikuar procesi i legalizimit?
Sadiki: Çdo problem i cili nuk trajtohet me vite të tëra, zgjidhja e tij komplikohet. Aq më tepër një problem si legalizimi i ndërtimeve pa leje, i cili është problem shumëdimensional dhe shumështresor. Ai, përpos problemeve urbanistike, prek edhe çështjet pronësore, financiare, ambientale, sociale, kulturore, të cilat janë pashmangshëm të ndërlidhura në mes vete. Çdo qasje e cila nënvlerëson këtë ndërlidhje, nuk mund të ketë sukses. Trajtimi i objekteve pa leje vetëm si struktura fizike, të cilat prishin rendin urbanistik, assesi nuk mund të japin rezultate të mira... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)