Ish-drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, ka folur për emisionin “O38” të KTV-së lidhur me seancën e jashtëzakonshme që është mbajtur gjatë ditës së premte ku janë bartur 23 milionë euro nga buxheti i vitit 2018 në buxhetin e këtij viti.
Rugova ka thënë se asamblistët nuk kanë pasur kohë as ta analizojnë materialin e sjellë, derisa e ka quajtur dështim të qeverisjes shpenzimin vetëm të 32% të buxhetit për investime kapitale gjatë vitit të kaluar.
“Edhe për ne që jemi në Asamble Komunale ka qenë e vështirë sepse njoftimin e kemi marrë një ditë më herët për këtë pikë. Materialin që e kanë sjellë nuk kemi pasur kohë as ta shikojmë as ta analizojmë. Vetëm 32% e buxhetit të investimeve kapitale është shpenzuar vitin e kaluar dhe kjo është skandaloze dhe është në vijë të veprimeve që janë duke u shtuar në Komunën e Prishtinës”, ka thënë ai, raporton Koha.net.
Sipas Rugovës, Prishtina nuk ka qenë kurrë më keq. Ai ka kritikuar qeverisjen e Ahmetit duke thënë se po bën vetëm investime kozmetike.
“Po e shohin të gjithë qytetarët se prania në mediet sociale është rritur dhe është pikërisht për shkak të projekteve kozmetike. I mbjellin dy lule në mes të rrugës dhe mandej i vendosin 50 fotografi, derisa gjithë qytetin e kemi në kaos. Prishtina kurrë nuk ka qenë më keq ndërkaq kurrë nuk ka pasur buxhet më të madh dhe kjo është një shpërputhje”, ka thënë ai.
Lidhur me mosprezencën e ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismailit, në disa nga mbledhjet e Kuvendit Komunal, ai ka thënë se asamblistët si ai po e keqpërdorin pozitën.
“Ligji është shumë i qartë që nëse një asamblist mungon në tri takime radhazi, atëherë duhet të përjashtohet. Në rastin tonë ka pas edhe asamblistë të tjerë siç është edhe Visare Gorani. Ne e kemi ngritur këtë çështje në seancën e kaluar. Është papërgjegjësi edhe nga Uran Ismaili dhe të tjerë të cilët e keqpërdorin pozitën”, ka shtuar Rugova.
Edhe
Prishtina pa buxhet, por komunalët në qershor shpenzuan mijëra euro për ushqim dhe pije
Ai nuk ka dashur të komentoj lidhur me emërimin e drejtoreshës së re të Drejtorisë së Kulturës në këtë komunë, Blerta Basholli, pasi që tha se nuk e njeh shumë gjatë.
Rugova ka sqaruar për opinionin edhe fotografitë të cilat kanë qarkulluar në rrjetet sociale ku shihet bashkë më kryetarin Shpend Ahmeti. Sipas tij, me Ahmetin ishin në Palermo të Italisë për të biseduar për ardhjen e Manifesta-s në Prishtinë.
“Këto fotografi janë në rrjetet sociale, për shkak se Manifesta është organizim që mundet me ndodhë në Prishtinë. Kryeqyteti jonë përfiton 200 mijë turistë dhe dhjetëra miliona euro dhe jemi kujdesur që kjo të ndodhë edhe tek ne, kjo na ka bashkuar me Ahmetin. Manifesta nëse vjen në Prishtinë do të ndodhë në vitin 2022 kur Vetëvendosja do të jetë përsëri duke qeverisur me Prishtinën”, ka thënë ai.
-
Ministri Çeku akuzohet në Kuvend për përdorim të buxhetit për përfitime personale në politikë
-
Komuna e Prishtinës shpenzoi mbi 29 milionë euro nga buxheti në periudhën prill-qershor
-
Prishtina realizon vetëm 8.7% të investimeve kapitale, bart 45 milionë euro
-
Haxhimusa: Prishtina nuk e ka luksin të mos e shpenzojë buxhetin për investime kapitale