Deputetja Eliza Hoxha, si anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport ka thënë se 70 për qind e investimeve në kulturë janë orientuar në Komunën e Prizrenit dhe kjo nuk është rastësi. “Kjo është përgatitje e terrenit të një ministri i cili nesër synon sigurisht të garojë për atë komunë. Pra është përdorim, apo keqpërdorim i pushtetit në nivelin qendror për agjendën e tij personale, politike në të ardhmen”, ka thënë ajo. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nuk ka qenë në Kuvend të hënën. KOHA e ka pyetur për akuzat drejtuar tij, por ai nuk është përgjigjur
Debati para miratimit në parim të projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin që vjen ka përplasur pozitën dhe opozitën. Buxheti për Ministrinë e Kulturës qe po ashtu pjesë e diskutimeve, edhe pse më në periferi. Por akuzat për orientim të buxhetit në kulturë qenë të shumta dhe direkte. Për deputeten Eliza Hoxha, ministri Hajrulla Çeku është duke keqpërdorur detyrën me orientim fondesh kah vendlindja, Prizreni, për qëllime krejt elektorale. Tenderët njëburimorë qenë po ashtu pjesë e diskutimit.
Ministria e Kulturës këtë vit kishte buxhet prej 88 milionë e 118 mijë eurosh. Për vitin që vjen, sipas projektligjit që pritet të votohet në Kuvend, do të ketë buxhet prej 86 milionë e 399 mijë eurosh. Fiks 1 milion e 719 mijë euro më pak. Se MKRS-ja nuk i ka bërë hesapet mirë vjet, kur ka bërë planifikimet buxhetore për vitin 2024 e parashikimet për 2025, vërehet qartë. Me Ligjin për buxhetin e këtij viti, MKRS-ja kishte parashikuar 93 milionë e 587 mijë euro për vitin 2025. Por do t’i ketë 7 milionë më pak sesa planifikimet, e madje as sa këtë vit. Projektet kapitale janë një histori më vete.
Në debatin nëntë orësh pozita dhe opozita janë përplasur për planifikimet buxhetore. Por me 59 vota për, veç ata të pozitës, është miratuar në lexim të parë projektligji që për vitin që vjen parasheh buxhet prej 3.6 miliardësh.
Deputetja Eliza Hoxha, si anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport ka thënë se 70 për qind e investimeve në kulturë janë orientuar në Komunën e Prizrenit dhe kjo nuk është rastësi.
“Kjo është përgatitje e terrenit të një ministri i cili nesër synon sigurisht të garojë për atë komunë. Pra është përdorim, apo keqpërdorim i pushtetit në nivelin qendror për agjendën e tij personale, politike në të ardhmen”, ka thënë ajo.
Derisa ka folur për projektimin e buxhetit nga Ministria e Kulturës ka thënë se “mijëra kontrata njëburimore janë dhënë nga kjo Ministri pikërisht në emër të emergjencave duke abuzuar në Ligjin për prokurim publik pa qenë të tilla, pasi restaurim dhe konservimi nuk janë procese emergjence, por janë procese të rregullta trashëgimore dhe investive”.
KOHA ka raportuar se sipas projektligjit për buxhetin e vitit që vjen, zbritja e buxhetit ka prekur kulturën si një prej katër sferave që mbulon MKRS-ja. Përderisa, sipas tabelave buxhetore, për sivjet në kulturë qenë 26 milionë e 242 mijë euro, për vitin që vjen do të jenë 25 milionë e 370 mijë euro. Investimet kapitale megjithëse janë rritur si numër, janë zvogëluar si buxhet. Për vitin 2024 ishin 11 milionë e 440 mijë euro për 16 projekte kapitale e për vitin 2025 do të jenë 10 milionë e 205 mijë euro për 20 projekte. Tabelat buxhetore tregojnë edhe realizimin e buxhetit për investimet kapitale në kulturë. E MKRS-ja këtu, sipas shifrave, çalon jo pak. I është dashur të planifikonte si buxhet të ri veç 1 milion e 250 mijë euro, pasi 9 milionë e 255 mijë i ka bartur si mjete të pashpenzuara nga viti i kaluar. “Teatri i operës dhe baletit ‘Dr. Ibrahim Rugova’”, “Muzeu i Artit Bashkëkohor”, “Renovimi i Teatrit Kombëtar”, janë prej projekteve që janë bartur nga viti i kaluar. Dy të parat, aso që tash e gati dy dekada barten. Njëkohësisht janë dy projektet më të mëdha kulturore që i synon shteti. Për të parin ka histori të gjatë, hapje themelesh, vënie të gurit themeltar, shpenzim të mbi 1 milion eurove, ndërrim lokacioni e në dy vjetët e fundit tentime të dështuara për të siguruar projekt të ri. E për Muzeun e Artit Bashkëkohor ishte hartuar një projekt më pas, hapësira ishte zënë me tjetër ndërtesë e tjetër destinim, kurse prej vjet MKRS-ja ka një dokument që përcakton hapat e themelimit e funksionimit të këtij muzeu, që figuron ligjërisht e është përcaktuar që një pjesë e ish-ndërtesës së “Rilindjes” të jetë hapësira e këtij institucioni.
Përderisa skena e pavarur kulturore i ka ankesat e vazhdueshme për mungesë hapësirash, kjo kategori për vitin që vjen do të ketë më pak buxhet sesa që kishte këtë vit. Te subvencionet e “Përkrahjes së kulturës” sivjet ishin 4 milionë e 900 mijë euro. Kurse për 2025-n janë paraparë 4 milionë e 300 mijë euro.
Deputetja Hoxha ka përmendur edhe mosrealizimin e projekteve.
“Në anën tjetër, Teatri Kombëtar rri i mbyllur. Për nja dy vjet artistët rrinë diku tjetër e tek tash është rrethuar dhe ka filluar të punohet diçka në fund të mandatit. Teatri i ri që ka qenë në buxhet për disa vite as që ka filluar, Teatri i Operës dhe Baletit po ashtu, salla koncertale po ashtu, Muzeu i Burgut pos një ekspozite sa për të thënë dhe asnjë investim më shumë”, ka thënë deputetja Hoxha.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nuk ka qenë në Kuvend të hënën. KOHA e ka pyetur për akuzat drejtuar tij, por ai nuk është përgjigjur.
Te sfera e trashëgimisë kulturore për vitin që vjen në përgjithësi ka rritje të buxhetit. Nga 15 milionë e 371 mijë sa ishin këtë vit, për 2025-n janë planifikuar 18 milionë e 787 mijë euro. Rritja vërehet edhe tek investimet kapitale në këtë fushë. Prej 11 milionë e 371 mijë eurosh për këtë vit, për atë që vjen kjo shumë do të jetë 15 milionë e 112 mijë euro. Janë shtuar edhe projektet kapitale prej 103 në 131. MKRS-ja ka shtuar punën në terren sa u përket restaurimeve nëpërmjet kompanive private. Por funksionalizim të monumenteve nuk ka. Planet e menaxhimit mungojnë. Edhe aty ku janë bërë, implementimi është sfidë më vete. Për këtë është kritikuar jo rrallë. Por, edhe te trashëgimia kulturore tabelat financiare tregojnë se MKRS-ja ka pazotësi në realizim të projekteve. Nga 15 milionë e 112 mijë euro, 12 milionë e 120 mijë janë bartje nga ky vit e si planifikim i ri figurojnë veç 2 milionë e 992 mijë euro.