Buxheti i Komunës së Prishtinës afatet ligjore për votim i kishte deri në muajin shtator të vitit 2024.
Por asambleja e kuvendit kishte plane të tjera. Opozita në krye me Lëvizjen Vetëvendosje dhe PDK-në, patën vendosur që të mos e votojnë edhe përkundër shumë tentimeve.
Gëzim Sveçla nga LVV-ja pati deklaruar se nuk e votojnë një buxhet pa përmbajtje.
Buxheti i komunës arriti të votohet tek në muajin dhjetor, kalimin e buxhetit e mundësuan dy asamblistët e LVV-së, që tani janë të përjashtuar nga partia. Edmond Azemi dhe Berat Lahu si dhe asambleistja e PDK-së, Arbnora Ajeti, patën qëndruar në sallë ndryshe nga anëtarët e tjerë të partive të tyre.
E kjo vonesë po u shkakton telashe tani.
Komuna për gjithë këta muaj të vitit 2025 është duke punuar me buxhetin e vitit paraprak. Kjo pasi kuvendi nuk është konstituar ende dhe si rrjedhojë miratimi i buxhetit nga Ministria e Financave nuk është bërë ende.
Kjo ka bërë që javën e fundit komuna të dalë me një njoftim ku tregon që nuk ka buxhet për ndihmë për familjet në asistencë sociale por edhe për zhvillimin e aktiviteteve kulturore.
Madje kryetari Rama përmes një shkrimi në Facebook, ka akuzuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për bllokim të buxhetit duke e quajtur akt jonjerëzor.
“Prej më shumë se gjysmë viti, Prishtina është pa buxhet. Dhe kjo nuk është më një vonesë procedurale – është një bllokadë e qëllimshme, që po dëmton drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve. Çerdhet dhe kopshtet nuk kanë më fonde për të siguruar ushqim për fëmijët. Programet sociale janë bllokuar. Familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, artistët dhe sportistët kanë mbetur pa asnjë mbështetje institucionale. Rreziku është alarmant dhe prek të gjitha shërbimet jetike në kryeqytet: qendrat e kujdesit shëndetësor dhe transporti publik rrezikojnë shërbimin dhe arsimi parashkollor është në vështirësi. Të gjitha shërbimet jetike janë prekur nga bllokada e qeverisë”, ka thënp Rama.
Rama e ka quajtur hakmarrje politike dhe pengesë mosmiratimin e buxhetit.
“Ne jemi dëshmitarë të një dështimi institucional dhe një kërcënimi serioz për stabilitetin dhe funksionimin demokratik të kryeqytetit. Kjo qasje nuk ndëshkon një kryetar komune. Ajo ndëshkon një qytet të tërë – fëmijët, të moshuarit, familjet në nevojë, dhe çdo qytetar që pret shërbime bazë. Nuk do të lejojmë që qytetarët të penalizohen. Në një situatë ku llogaria politike mbizotëron mbi interesin publik, ne mbetemi të vendosur të mbrojmë qytetarët e kryeqytetit. Për të tretën herë me radhë, i jemi drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me kërkesën që të veprojë në përputhje me Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2025 dhe të ofrojë një zgjidhje urgjente dhe ligjore, jo të prodhojë pengesa të reja”, ka deklaruar ai.
Megjithatë në raportin e Drejtorisë së Financave, për muajin qershor është raportuar që vetëm për ushqim dhe pije për dreka zyrtare komuna ka shpenzuar 94 mijë euro.
Kurse për shërbime të tjera të konsulencës mbi 50 mijë euro.
Edhe përkundër faktit që të hyrat vetanake të komunës për muajin qershor kanë qenë 0.00 euro.
Përkundër kësaj përplasja virtuale ka filluar pastaj në rrjete sociale.
Rama ka akuzuar Muratin që po bën humor me qytetarë, kurse ky i fundit ka shkruar që tallja po ndodh nga ana e kryetarit të Prishtinës.
“Përparim, ti gënjeve që Qeveria ta ka blloku buxhetin, unë të demantova me fakte e argumente. Nëse dikush po bën humor e po tallet me votuesit, jeni ju që keni qeverisur me Prishtinën e që fajin tuaj të mosmiratimit të buxhetit komunal sipas afateve ligjore, tentoni t’ia hidhni Qeverisë ndërsa vetë viktimizoheni. MFPT ua ka alokuar buxhetin sipas ndarjeve të vitit 2024, ashtu siç e parasheh ligji kur komuna nuk arrin ta miratojë buxhetin me kohë. Për ta alokuar buxhetin sipas ndarjeve të vitit 2025, siç ta kam thënë tash e disa herë, duhet ndryshim/plotësimi i ligjit të buxhetit në Kuvend”, ka thënë ai.
Për t'u konsultuar se kush ka të drejtë Murati ka pyetur edhe aplikacionin e mençur, ChatGPT.
Sipas njohësve të qeverisjes lokale, kryetari i komunës duhet ta dorëzojë si pikë të rendit të ditës në kuvend bartjen e mjeteve mirëpo, që në Kuvendin e Prishtinës nuk ishin bërë votat e mjaftueshme as për kalim të buxhetit.
Në bazë të ligjit për financa lokale, nëse kuvendi komunal dështon që me kohë të bëjë miratimin dhe dorëzimin te ministri të propozimbuxhetit komunal dhe kërkesës për ndarje buxhetore të cilat janë në pajtim me kushtet e përcaktuara në këtë ligj deri në datën e përcaktuar në paragrafin 3 të nenit 20 të këtij ligji, ministri është i autorizuar që të përgatisë propozimbuxhetin dhe kërkesën për ndarje buxhetore për këtë komunë të cilat bazohen, mirëpo nuk janë më të mëdha se buxheti dhe ndarjet buxhetore.