Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i është përgjigjur kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku i cili vendimin e PZAP-së për të anuluar qendra alternative të votimit jashtë vendit, e quajti si parandalim të vjedhjes së votave.
Rrustemi në emisionin “Interaktiv” në KTV, tha se është LDK-ja ajo që akuzohet për vjedhje votash në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Nëse e fillojmë me përplasje politike, përgjigjja e drejtpërdrejt është se vetë Abdixhiku i ka prirë një skeme të manipulimit të votave me postë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ngjarja është në prokurori duke u hetuar dhe ngjarja është zbardhur nga vet kandidatë për deputet të LDK-së në atë grupin e brendshëm të LDK-së me bisedat dhe ankesat e kandidatëve për deputet”, deklaroi Rrustemi.
Rrustemi është shprehur i bindur që do të parashtrohet ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-së, sepse siç tha – ka argumente pa fund.
“Ne besoj se do të ankimohemi në Gjykatën Supreme. Jam i bindur që do të bëjmë ankesë në Gjykatën Supreme. Unë jam i bindur se do të ankohemi, nuk dua ta them fjalën e fundit sepse janë autoritetet përgjegjëse edhe që janë duke punuar edhe që vendosin. Por unë jam i bindur se do të ankohemi dhe duhet të ankohemi në Gjykatën Supreme. Ka argumente pa fund”, deklaroi Rrustemi.
Duke iu referuar bllokadës disa mujore, ish-deputeti Rrustemi tha se partitë e tjera, ato të ish-opozitës kanë qenë në sinkron kundër Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë edhe Nismën e Fatmir Limajt.
“Neve na duhet një shumicë për të krijuar institucionet. Qytetarët më 28 dhjetor duhet të votojnë si mesazh për bllokadën institucionale. Ka qenë e pamundur të procedohet sepse ish-opozita ka qenë në sinkron për të shkaktuar bllokadë. Personalisht, refuzimi i LDK-së për të bashkëpunuar me LVV-në është qëndrim i përbashkët e opozitës. Si qëndrim personal, edhe sjellja e Nismës për të qenë në Kuvend e jo në Qeveri, e duke parë takimin Limaj-Abdixhiku në ditën kur dështoi të votohet qeveria Kurti, është poashtu veprim për bindjen time, i koordinuar në kampin opozitar”, deklaroi Rrustemi në emisionin “Interaktiv” në KTV.
Më 30 nëntor, në mesnatë është përmbyllur afati për aplikim të subjekteve politike që pritet të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025. 24 subjekte politike kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Zgjedhjet e parakohshme erdhën pas shpërndarjes së legjislaturës së nëntë, pasi për shtatë muaj mandat nuk ka arritur të zgjedhë Qeverinë e re, në dy tentime. Pas konsultimeve me liderë të partive politike, Osmani e ka caktuar 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, me gjithë që në partitë deri tash në opozitë shprehën kërkesë që ato të mbahen 21 dhjetor. Pro 28 dhjetorit u shprehën në Lëvizjen Vetëvendosje, në Listën Guxo dhe në Alternativa.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jenë të tretat që do të mbahen brenda këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit si dhe zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.