Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adanan Rrustemi, ka thënë se deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës nuk kanë arsye që të mos e mundësojnë zgjedhjen e kandidatit konsensual, Bekim Sejdiu, president.
Ai ka thënë se figura e Sejdiut, në kuptimin e cilësive është e pakontestueshme.
“Pres që secili deputetë i Kuvendit të Kosovës, jo vetëm deputetët e VV-së dhe të LDK-së, por edhe deputetet e PDK-së dhe të AAK-së, nuk kanë asnjë arsye për të mos ardhur në seancë dhe për të mundësuar zgjedhjen e tij”, është shprehur Rrustemi.
Ai ka thënë së konsensusi për Sejdiun është mundësi e mirë për ta tejkaluar ngërçin institucional.
Sot Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike kanë arritur marrëveshje për kandidatin e përbashkët për president. Ai është Bekim Sejdiu, jurist dhe diplomat. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në arsyetimin e propozimit ka thënë se si subjekt politik kanë qenë të vendosur që të gjejnë zgjidhje për të ecur përpara dhe t'i evitojmë zgjedhjet e reja të katërta në këto dy vjet. Megjithatë, deklarimi i deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti se nuk do ta votojë Sejdiun e bënë të paqartë nëse LDK-ja do të sigurojë, nëse jo të gjitha votat, të paktën prezencën formale të deputetëve të saj në seancë
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se nuk e di nëse ato do t’i kenë numrat për zgjedhjen e Sejdiut.
Hamza në një prononcim për KosovaPress tha se VV-ja e LDK-ja matematikisht i kanë numrat për Sejdiun, por se a do të qëndrojnë të gjithë deputetët e tyre në sallë për këtë emër, është çështje e këtyre dy partive.
Ai po ashtu foli edhe për mundësinë e “rrjedhjes” së ndonjë vote për Sejdiun nga Grupi Parlamentar i PDK-së, duke thënë se nuk pret që të ketë devijime nga qëndrimet e partisë.