Rrustemi: S’kemi hyrë në procesin e diskutimit për presidentin për ta dëmtuar LDK-në
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se në bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës për postin e presidentit nuk është hyrë për ta dëmtuar LDK-në.
Rrustemi ka thënë se në diskutime është hyrë për gjetjen e një zgjidhje.
“S’kemi hyrë për ta dëmtuar LDK-në. Ka pasur takime intensive me Abdixhikun e grupet punuese deri ditën e sotme. Takimi i parë ishte me ide për presidentin konsensual, ku u vendosën kriteret e parimet. Ishin publike. Ishte vizatimi i figurës së presidentit konsensual”, ka thënë Rrustemi në “Konfront” të KTV-së.
Rrustemi ka thënë se partitë opozitare synimi maksimal që mund ta kenë është që të imponojnë një figurë konsensuale për president.
Të hënën u arrit marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për nominim të Bekim Sejdiut për president.
Koci: AAK-ja do ta votonte presidentin nëse përmbushet kushti për gazin amerikan
Opinionisti Melazim Koci beson se Aleanca do të votonte për Bekim Sejdiun si president i Kosovës nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta përmbushte kushtin e parë prej gjashtë kushteve që kishte vendosur Aleanca, e që është pranimi i gazit amerikan.
Koci në “Konfront” të KTV-së ka thënë se në Kosovë ka një “skizofreni politike”.
“Opozita njëkohësisht thotë se ka skaduar afati 30 ditor e në anën tjetër shkon në Parlament e kërkon nga Vetëvendosja të thirret seanca konstituive. Njëra me tjetrën nuk shkojnë, prandaj them se kemi situatë skizofrenike, skizofreni politike...Mund të jenë vendimtare votat e AAK-së. E AAK-ja s’ka refuzuar takim nëse bisedohet për pikat që i ka shtruar. Nuk do të thotë se ata do të insistojnë në gjashtë pika. Personalisht mendoj se AAK-ja do të japë votat nëse së paku pika e parë për gazin amerikan përmbushet”, tha Koci.
Alijaj: VV-ja është në pozicion të mirë, s’humb edhe nëse nuk zgjidhet presidenti
Analisti politik, Artan Alijaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, për shkak të pozicioni politik të mirë që e ka, nuk humb asgjë edhe nëse nuk zgjidhet presidenti.
“Nëse zgjidhet presidenti për ta është mirë, nëse nuk zgjidhet për ta është edhe ma mirë, do të thotë këta nuk humbin, presioni ashtu siç ka qenë edhe para zgjedhjeve të qershorit është në opozitë, sidomos në LDK, nëse do të kenë mundësi që të jenë njëzëri”, ka theksuar Alijaj në emisionin “Konfront” në KTV.
Sipas tij, edhe më problematike për opozitën do të jetë nëse LDK-ja nuk do të jetë e unifikuar dhe do të dështojë zgjedhja e presidentit.
Muhaxhiri: Sejdiu duhet të japë garanci, të tregojë vijat e tij të kuqe ndaj Kurtit
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se kandidati për president i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Bekim Sejdiu, për të qenë konsensual i plotë duhet të japë garanci edhe për Partinë Demokratike të Kosovës dhe për Aleancën.
Ai ka thënë se ai ose duhet të deklarohet ose të takohet me kryetarët e këtyre partive dhe të tregojë se cilat janë “vijat e tij të kuqe” ndaj kryeministrit në detyrë, njëherësh kryetar i LVV-së, Albin Kurti.
“Të thotë ‘unë do ta lejoj Kurtin, si person me 50 për qind të votave, deri këtu, por nëse ndërhyn në këtë unë largohem ose nuk ia pranoj’. Sepse ne e kemi parë zonjën Vjosa Osmani, ajo ka qenë politikane e pakrahasueshme me Sejdiun edhe sa u përket votave, edhe sa i përket pëlqyeshmerisë, edhe sa u përket posteve, por në fund në raport me Kurtin ra edhe e pamë se si përfundoi”, ka theksuar Muhaxhiri në emisionin “Konfront” në KTV.
Ai ka thënë se Osmani sa ka qenë presidente nuk ia ka devijuar Kurtit asnjë çështje. “Edhe kur e ka pasur obligim të flasë ... për datën e zgjedhjeve ta se e ka vendosur për t’i bërë ndër Kurtit”, është shprehur Muhaxhri.
Koci: Po zhvillohet betejë brenda LDK-së
Opinionisti Melazim Koci ka thënë se në Lidhje Demokratike të Kosovës po zhvillohet një betejë e brendshme dhe se kryetari i partisë Lumir Abdixhiku me arritjen e një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje që Bekim Sejdiu të jetë president konsensual është duke i vënë në ultimatum deputetë e LDK-së që ta votojnë atë apo qëndrojnë në sallë.
Koci në “Konfront” të KTV-së ka thënë se në konferencë për media të hënën Abdixhiku nuk tha se i ka në dispozicion votat e 18 deputetëve të LDK-së dhe se do të ishte politikisht më korrekte sikur ai të mblidhte Grupin Parlamentar të LDK-së e të diskutonte para se të dilte në konferencë për media.
“Mendoj se kjo çfarë ndodhi, tingëllon si një formë ultimatumi ndaj atyre brenda LDK-së se ose do të votoni për z. Sejdiu ose do të shpalleni para opinionit fajtor që mbetet vendi pa presidentit e që Kosova shkon sërish në zgjedhje. E do të paguani çmimin. Kjo më tingëllon si betejë brenda LDK-së mes dy krahëve. Përpjekje e z. Abdixhikut dhe znj. Osmani për ta diskualifikua pjesën tjetër. Për ta hequr nga lista eventualisht në zgjedhje tjera”, tha Koci.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se nuk ka votë për Sejdiun.
“Kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe elektoratit të saj. Përkundrazi, mënyra se si është imponuar kjo zgjidhje krijon përshtypjen se LDK ka penguar edhe kandidatura të tjera politike, vetëm për t’i hapur rrugë një kandidature që, në thelb, është po ashtu politike”, vlerësoi Hoti.
Rrustemi: Deputetët e PDK-së dhe AAK-së s’kanë arsye të mos e mundësojnë zgjedhjen e Sejdiut
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adanan Rrustemi, ka thënë se deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës nuk kanë arsye që të mos e mundësojnë zgjedhjen e kandidatit konsensual, Bekim Sejdiu, president.
Ai ka thënë se figura e Sejdiut, në kuptimin e cilësive është e pakontestueshme.
“Pres që secili deputetë i Kuvendit të Kosovës, jo vetëm deputetët e VV-së dhe të LDK-së, por edhe deputetet e PDK-së dhe të AAK-së, nuk kanë asnjë arsye për të mos ardhur në seancë dhe për të mundësuar zgjedhjen e tij”, është shprehur Rrustemi.
Ai ka thënë së konsensusi për Sejdiun është mundësi e mirë për ta tejkaluar ngërçin institucional.
Sot Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike kanë arritur marrëveshje për kandidatin e përbashkët për president. Ai është Bekim Sejdiu, jurist dhe diplomat. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në arsyetimin e propozimit ka thënë se si subjekt politik kanë qenë të vendosur që të gjejnë zgjidhje për të ecur përpara dhe t'i evitojmë zgjedhjet e reja të katërta në këto dy vjet. Megjithatë, deklarimi i deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti se nuk do ta votojë Sejdiun e bënë të paqartë nëse LDK-ja do të sigurojë, nëse jo të gjitha votat, të paktën prezencën formale të deputetëve të saj në seancë
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se nuk e di nëse ato do t’i kenë numrat për zgjedhjen e Sejdiut.
Hamza në një prononcim për KosovaPress tha se VV-ja e LDK-ja matematikisht i kanë numrat për Sejdiun, por se a do të qëndrojnë të gjithë deputetët e tyre në sallë për këtë emër, është çështje e këtyre dy partive.
Ai po ashtu foli edhe për mundësinë e “rrjedhjes” së ndonjë vote për Sejdiun nga Grupi Parlamentar i PDK-së, duke thënë se nuk pret që të ketë devijime nga qëndrimet e partisë.