Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrugës së rrezikshme malore për t’u shkolluar

Aurela dhe Melesa Feta, nxënëse të klasës së tretë nga Penuha e Podujevës, bëjnë çdo ditë nga 30 minuta këmbë për të ndjekur mësimet në fshatin Buricë. Këto 9-vjeçare nuk e kanë pasur fatin të kenë shkollë në fshatin e tyre. Si rrjedhojë e kësaj, janë të detyruara të ecin malit për të vijuar shkollimin, shkruan “Koha Ditore”.

Rreziku më i madh për to dhe 40 nxënës të tjerë të Penuhës shfaqet gjatë stinës së dimrit, kur shpeshherë gjatë rrugës u shfaqen qen.

Dëshira më e madhe për këta nxënës është ndërtimi i një shkolle në fshatin e tyre. Aktualisht zgjidhje të domosdoshme e shohin rregullimin e rrugës dhe sigurimin e transportit për në fshatin fqinj.

“Unë dhe vajza e axhës, Aurela, në ora 08:15 nisemi për në shkollë, kurse në ora 09:00 e fillojmë mësimin. Çdoherë udhëtojmë këmbë. Bëhemi bashkë edhe me fëmijët e tjerë dhe nisemi për në shkollë, sepse kur jemi më pak frikësohemi ”, thotë Melesa.

Rruga përmes malit

Edhe Për mungesë transporti, nxënësit e disa fshatrave të Podujevës nuk po e vijojnë shkollimin Arbëri Për mungesë transporti, nxënësit e disa fshatrave të Podujevës nuk po e vijojnë shkollimin

Rreth 30 minuta deri në fshatin Buricë i bën çdo ditë edhe Elina Zhdrella, nxënëse e klasës së shtatë. Ajo tregon se në raste të rralla, kur prindi i saj ka mundësi, e dërgon me veturë, por në shumicën e herëve ajo duhet të shkojë në këmbë.

Me veturë nga Penuha në Buricë bëjnë disa minuta, sepse duhet të kalohen disa fshatra. Kjo, meqë rruga përmes malit është e pakalueshme për vetura.

“Me shku me veturë duhet me u sillë rreth e rreth, sepse këndej kah shkojmë këmbë është problem pasi rruga është shumë e keqe e nuk del kerri. Jemi të detyruar të shkojmë këmbë, sepse nuk kemi tjetër zgjidhje. Dimrit frikësohemi shumë, sepse shpesh na dalin qen”, rrëfen Zhdrella.

Dëshira më e madhe e saj është që të zgjidhet ky problem dhe ta përfundojnë shkollimin sikurse fëmijët e tjerë pa ndjenjën e frikës.

Penuha nuk ka pasur asnjëherë shkollë. Fëmijët e këtij fshati çdoherë kanë ecur këmbë për të vijuar mësimet në shkollën e Buricës. Rruga deri aty është rreth 3 kilometra këmbë.

Përballja me rrezikun

Për të mbërritur tek shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Eqrem Çabej”, në Buricë, 42 nxënësit e Penuhës nuk kanë alternativë tjetër pos të kalojnë nëpër male.

Banorët e Penuhës janë të shqetësuar që fëmijëve mund t’u ndodhë ndonjë e keqe teksa shkojnë apo kthehen nga shkolla. Të njëjtin shqetësim e ka edhe drejtoresha e shkollës së Buricës, Florije Berisha.

“I kemi 42 nxënës të fshatit Penuhë të të gjitha gjeneratave, nga parashkollor deri në klasën e 9-të. Nxënësit e kanë larg 2 kilometra e gjysmë shkollën. Kemi pasur ankesa prej prindërve, por edhe ne jemi të shqetësuar për këtë çështje”.

“Është e vërtetë që ka qenë, por zakonisht mblidhen edhe për shkak se banorët hedhin mbeturina e kjo i rrezikon fëmijët”, tregon ajo.

Ndërtimi i një shkolle në fshatin Penuhë, sipas saj, do të ishte ide e mirëpritur, por që kjo varet nga Drejtoria komunale e Arsimit.

“Në këtë shkollë i kemi nxënësit e tri fshatrave, Penuhë, Buricë dhe Konushevc. Megjithatë, nxënësit e këtyre dy fshatrave e kanë të siguruar transportin, kurse këta të Penuhës jo. Shpresojmë që ky problem të zgjidhet sa më shpejt”, tregon ajo.

Shkolla “Eqrem Çabej”, në Buricë ka gjithsej 172 nxënës të tri fshatrave. Në këtë shkollë të ndërtuar 10 vjet më parë, mësimi zhvillohet me një ndërrim.

Ramadan Dedaj nga fshati Penuhë, i cili punon si punëtor teknik në shkollë, thotë se nxënësit e fshatit të tij çdoherë e kanë pasur problemin e njëjtë.

Siç tregon ai, edhe paralufte ata kanë ecur malit për të shkuar në shkollën e Buricës, sepse nuk kanë pasur alternativë tjetër.

Edhe Fshati pa shkollë Arbëri Fshati pa shkollë

“Gjithmonë e kemi pasur këtë problem dhe asnjëherë s’ka ndryshuar. Sidomos dimrit është shumë problem për fëmijët që të vijnë këmbë në shkollë. Mirë do të ishte që të kishim shkollë në fshatin tonë, por nuk e dimë sa janë mundësitë që të na bëhet kjo zgjidhje”, tregon Dedaj.

Nëse fshatit nuk i ndërtohet një shkollë, Dedaj kërkon që të paktën t’u sigurohet transport për t’i dërguar fëmijët në shkollë.

Fëmijët e Penuhës çdo ditë e presin njëritjetrin dhe nisen bashkë për në shkollë. Problem e kanë pasi ta përfundojnë mësimin, meqë jo të gjithë e përfundojnë në orarin e njëjtë. Përveç lodhjes nga ecja disa minutëshe këmbë, nxënësit ankohen edhe se rrobat dhe mbathjet e tyre çdoherë janë të përlyera nga balta për shkak të rrugës së keqe.

Banorët të shqetësuar

Përveç fëmijëve dhe nxënësve, të shqetësuar për mënyrën e vijimit të shkollimit janë edhe familjarët e fshatit Penuhë. Që nga momenti kur fëmijët e tyre nisen për në shkollë e derisa ata kthehen në shtëpi familjarët ndihen në ankth.

70-vjeçari, Ramadan Feta, i cili i ka nipin dhe mbesën në shkollën e Buricës thotë se meqë Komuna nuk ka shfaqur kurrfarë interesimi për ta, e vetmja zgjidhje është t’i ndalin fëmijët nga shkolla.

Thotë se fshati i tyre është injoruar nga Komuna, e cila qe 18 vjet pas luftës nuk ka arritur të paktën t’ua rregullojë një rrugë e t’ua sigurojë një transport për në shkollë.

“As nuk kemi shkollë e as rrugën s’po na e rregullojnë. Veç me i ndalë fëmijët krejt prej shkolle. Kur nuk mundemi me i dërgu në shkollë, u duhet të shkojnë vetë e kjo është rrezik, sepse kemi edhe fëmijë të vegjël. Mbesën e kam në klasën e tretë dhe çdoherë i duhet të shkojë këmbë”, tregon ai.

Në vitet e pasluftës, siç tregon Feta, numri i banorëve të fshatit ka nisur të zvogëlohet pikërisht për shkak të problemit të shkollimit.

Sipas tij, një pjesë e banorëve të fshatit janë shpërngulur në Prishtinë e Fushë-Kosovë e disa janë zhvendosur në fillim të fshatit, ku ka qasje më të lehtë infrastrukturore.

Deri para pak vitesh nxënës i shkollës së Buricës ka qenë edhe Fatos Feta. Ai tregon se derisa e ka përfunduar shkollimin çdoherë është përballur me ndjenjën e frikës. Aktualisht, familja e tij e ka edhe një djalë në klasën e tetë që ndjek shkollimin në Buricë.

“Rrezikun më të madh e kemi gjatë dimrit. Kishim pas dëshirë që me pas shkollën në fshatin tonë. Kemi bërë kërkesa në Komunë, por nuk kemi marrë përgjigje konkrete për këtë. Nxënësit që janë më të rritur shkojnë vetë e ata që janë të vegjël duhet me i dërgu dikush”, tregon ai.

Banorët e Penuhës tregojnë se për shkak se fshati gjendet afër Malit, gjatë stinës së dimrit shpesh kanë mbetur të bllokuar për disa ditë me radhë. Si pasojë e kësaj, fëmijët nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë.

Komuna ende pa zgjidhje

Edhe Mungesa e transportit po ju sjell telashe nxënësve përreth Orllanit Arbëri Mungesa e transportit po ju sjell telashe nxënësve përreth Orllanit

Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Agim Blakqori, ka thënë se rruga nga fshati Penuhë, që shpie për në fshatin Buricë, është në projekt e sipër dhe do të rregullohet. Ai nuk ka treguar se kur do të përfundojë kjo çështje në mënyrë që fëmijëve t’u lehtësohet shkollimi.

“Rruga është në projekt për t’u rregulluar. Shkollë të re nuk mund t’u ndërtojmë në Penuhë, sepse nuk ka edhe shumë nxënës në këtë fshat. Do të shikojmë nëse i plotësojnë kriteret do t’u bëjmë zgjidhje të transportit, por krejt kjo varet prej mundësive buxhetore”, është shprehur Blakqori.