Arbëri

Rruga Mitrovicë-Podujevë në gjendje të rëndë, kërkohet intervenimi i MI-së

Korsitë e mbyllura si shkak i shembjes së dheut në rrugën nacionale Mitrovicë – Podujevë po konsiderohet zonë jo e sigurt për qarkullim. Në vendin e quajtur Tunel i Parë banorët thanë se ndihen të rrezikuar nga gjendja e rrugës. Kjo problematikë është adresuar në Ministrinë e Infrastrukturës nga banorët dhe përfaqësues të komunave, por deri tash nuk është ndërmarrë asgjë.

Tash e pesë muaj banorë te Tuneli i Parë në Mitrovicë thonë se janë në hall për shkak të rrugës nacionale Mitrovicë – Podujevë.

Shembja e hapësirës së trotuarit dhe mbyllja e njërës korsi për vetura po konsiderohet rrezik për banorë.

Ata thonë se rruga përbën rrezik për banorët e në veçanti për fëmijët.

“Në anën e djathtë janë ndërtesat e banueshme, në anën e majtë janë shtëpitë e banorëve këtu, po krejt mbi të gjitha këtu është rrezikimi i banorëve. Këtu prej nesh 50 metra mbrapa është shkolla fillore ‘Elena Gjika’, ku diku përafërsisht janë 250 nxënës që frekuentojnë rrugën çdo ditë”, ka thënë banori Arsim Musa.

“Në vend se me qenë një drejtim andej, njëri këndej, tash dyja për një rrugë, njëri kerr duhet me pritë se nuk i zë edhe kanë bërë ngarkesë kanë qitë dhe shumë e tash si dhe e ka ulë shumë e ka shembë rrugën andej, askush hala nuk kemi pa që po vjen po rrezikohen edhe fëmija, shkolla është këtu”, ka thënë Ismet Osmani, banor.

Sipas tyre, këtë problem e kanë adresuar në Ministrinë e Infrastrukturës, por deri më tash nuk është ndërmarrë asgjë.

“Kërkesa jonë është mos me lënë kështu se veç po rrezikohen njerëzit....”, ka thënë Osmani.

“Ne kemi kërkuar nga Ministria e Transportit që këtë problem ta evitojë sa më parë, përndryshe kur të ndodhë diçka mos të vijnë se bëhet shumë vonë, por deri më tani nuk ka ndërmarrë askush asgjë”, ka shtuar Musa.

Se kjo rrugë është në gjendje të rëndë e dëshmojnë edhe korsitë e mbyllura në hyrje të Bajgorës, si shkak i shembjes së dheut.

Edhe përfaqësues të të dy komunave kanë thënë se shqetësimin e qytetarëve për këtë çështje e kanë adresuar në Ministri të Infrastrukturës.

“Kemi biseduar me zyrtarin e Ministrisë dhe janë në trajtim e sipër, sipas tij këtë pjesë do ta rregullojnë. Gjendja në këtë pjesë të rrugës është jo e mirë dhe kritike për të ardhmen në qoftë se Ministria nuk merr masa që ta evitojë këtë problematikë, ku për ata që e frekuentojnë dhe për banorët përreth është e rrezikshme”, ka thënë Bahtir Maxhuni, drejtor për Siguri dhe Emergjenca.

“Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka kërkuar mbështetjen financiare nga Ministria e Infrastrukturës për Rehabilitimin e rrugës lidhëse Podujevë - Mitrovicë, bazuar në gjendje jo të mirë të rrugës R129”, ka thënë Leutrim Krasniqi, drejtor për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, thotë se niveli i sigurisë në rrugët nacionale të vendit nuk është i duhur.

“Kosova është vendi i fundit gati në Bashkësinë Evropiane, e zëmë edhe Shqipëria ka ecur me infrastrukturë rrugore. Të vetmit jemi ne Kosova që gati nuk i plotësojmë po them edhe kriteret e një rruge të sigurt për qarkullim, përveç autoudhëve, edhe pse edhe në to kemi disa çalime që janë duke ndodhur, por në rrugë nacionale, regjionale jemi të fundit”, ka deklaruar eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për gjendjen e rrugës nacionale Mitrovicë – Podujevë, por nuk ka marrë përgjigje.