Arbëri

Banorët e revoltuar të një fshati bllokojnë magjistralen Prishtinë-Podujevë

Me kërkesën për ndërtimin e një rrethrrotullimi afër fshatit, banorët e Tenezhdollit kanë bllokuar për disa minuta magjistralen Prishtinë–Podujevë, të dielën. Sipas tyre, vetëm rrethrrotullimi do t’ua lehtësonte qasjen në rrugë me mjete bujqësore dhe do ta bënte më të sigurt kalimin e fëmijëve

Banorët e fshatit Tenezhdoll kanë bllokuar për disa minuta magjistralen Prishtinë–Podujevë në shenjë proteste, duke kërkuar ndërtimin e një rrethrrotullimi që do t’ua lehtësonte qasjen në rrugë.
Magjistralja, e cila është në ndërtim e sipër, e ka ndarë fshatin përgjysmë. 

Nga një rrugë me dy korsi, ajo tashmë është zgjeruar në katër, duke e vështirësuar lëvizjen e banorëve, veçanërisht të bujqve.

Sipas Mentor Rrahmanit, përfaqësues i fshatit, ndërtimi i një rrethrrotullimi më afër vendbanimit do të mundësonte qasje më të lehtë për mjetet bujqësore.

“Për bujqit është shumë e vështirë për arsye se arat i kanë në pjesën e poshtme të rrugës dhe mjetet e rënda bujqësore e kanë shumë të vështirë lëvizjen e lirë këndej, për arsye se duhet të bëjnë shumë kilometra. Realisht na është zgjatur rruga për 7.5 kilometra neve si fshat”, ka thënë Rrahmani.

Gani Kadriu, banor i fshatit, ka thënë se arsyeja që doli të dielën në protestë është rreziku që u paraqitet fëmijëve gjatë kalimit të rrugës, ku mes saj ndodhen edhe pengesa metalike.

“Kemi problem për fëmijët t’i çojmë në shkollë. Na duhet për çdo mëngjes, pra jemi 6 shtëpi këtu, që duhet çdo mëngjes ti dërgojmë fëmijët matanë rrugës edhe t’i kthejmë prapë. Për rrugë kem telashe, më së shumti kyçen në rrugë, t’i çojmë fëmijët në shkollë t’i bartim”, ka thënë Kadriu.

Milaim Rrahmani, një tjetër vendas, ka njoftuar se më herët banorët e fshatit kanë firmosur një peticion me të njëjtën kërkesë, por deri tash nuk kanë marrë përgjigje. 

“Tash në qoftë se bëhet rreth rrotullimi këtu, bëhen zebrat, kalojnë njerëzit, është çezma e ujit këtu ne shpesh vijmë dhe marrim ujë këtu. I kemi arat këtu që duhet t’i punojmë pastaj duhet të shkojmë me mjete bujqësore, me traktorë, me kombajnë, me kamionë duhet të shkojmë 7 kilometra t’i biem rreth e rrotull”, ka thënë Milaim Rrahmani.  

Tenezhdolli është fshati i fundit i Prishtinës përgjatë rrugës për në Podujevë. Banorët kanë paralajmëruar protesta të tjera në rast se nuk marrin përgjigje. 

E, në Ministrinë e Infrastrukturës të dielën nuk janë përgjigjur nëse do të ketë ndërhyrje për t’i plotësuar kërkesat e banorëve të fshatit.