Arbëri

Rruga e bllokuar nga shembja e gurëve hapet pas vlerësimit të inspektorëve

Qarkullimi në relacionin Prizren-Reçanë të hënën deri në ora 16:00 është realizuar nëpërmjet rrugëve alternative, pasi aksi kryesor ka qenë i bllokuar si pasojë e rrëshqitjes së dheut e gurëve. Policia rajonale e Prizrenit ka njoftuar se pas vlerësimit të inspektorëve është vendosur që rruga të hapet për qarkullim, por me kujdes të shtuar.

Prizren, 13 dhjetor – Rruga Prizren-Reçanë ka qëndruar e bllokuar për qarkullim të hënën deri në ora 16:00, pas shembjes së dheut dhe gurëve që pati ndodhur të dielën mbrëma ndërmjet dy tuneleve të këtij aksi. Ekipet përgjegjëse në terren kanë arritur që të pastrojnë njërën korsi, por autoritetet përkatëse për shkaqe sigurie nuk kanë lejuar për një kohë qarkullimin e automjeteve, për shkak të rrezikut nga plasaritjet në shkëmbinj. Në orët e pasdites, Policia rajonale e Prizrenit ka njoftuar se në koordinim më përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe në bazë të vlerësimit të inspektorëve rruga do të jetë e kalueshme me kujdes të shtuar.

Gjatë ditës së hënë, qytetarët që frekuentojnë nëpër këtë pjesë kanë pohuar se rreziku nga shembja e gurëve në këtë zonë është konstant, dhe se shkaku i shembjes së fundit janë të detyruar që ta përdorin rrugën alternative përmes Pouskës e Llokvicës deri në Reçanë.

“Ka rrezik boll të madh, por puna fatit, kush qëllon fati, pasi kërkund nuk e dimë. Qe sa vite rreziku është i përgjithshëm”, ka thënë Halim Gashi. Ndërsa Bekim Bajrami ka pohuar se rreziku është i pranishëm nga shembjet dhe se duhet intervenimi i organeve kompetente. “Natyrisht që është rrezik, njerëzit mund të humbin jetën”, është shprehur ai.

Zyrtarët e MMPHI-së kanë theksuar se arsyet e shembjes janë natyrore, pasi kjo zonë njihet për rrezikshmëri të lartë, duke qenë se çdo vit ka rrëshqitje të gurëve e dheut.

“Mbrëmë pas orës 18:00 kemi pasur rrëshqitje të masivit shkëmbor. Kompania përgjegjëse menjëherë ka marrë masat, kemi bërë të qarkullueshme njërën korsi, dhe presim, sepse rreziku është permanent përsëri, siç po vërehen plasaritje ka ende tjera. Deri me një konfirmim tjetër të radhës, do t’ju njoftojmë përsëri”, ka thënë Bahti Nebiu nga MMPHI.

Policia rajonale e Prizrenit në mesditë ka theksuar se ky aks rrugor shfrytëzohet vetëm në raste emergjente, derisa mbetet e mbyllur për qarkullim të rregullt deri në një vendim tjetër të Ministrisë së Infrastrukturës. “Ne i kemi informuar qytetarët se kjo rrugë është e mbyllur përkohësisht përderisa Ministria të merr një vendim për lejimin, të pastrohet kjo zonë dhe të merren masat e sigurisë, që automjetet dhe qytetarët të kalojnë në mënyrë të sigurt”, ka deklaruar Shaban Osmanollaj, zëdhënës i Policisë rajonale të Prizrenit.

Në orët e pasdites, Policia rajonale e Prizrenit ka njoftuar se kjo rrugë do të hapet nga ora 16:00.

“Ju informojmë se rruga Prizren-Reçanë, përkatësisht që ishte e mbyllur për qarkullim nga data 12 dhjetor 2021 nga ora 18:20, sot me datë 13 dhjetor 2021 nga ora 16:00 pritet të hapet për qarkullim. Në koordinim më përfaqësues të MI-së dhe në bazë të vlerësimit të Inspektorëve rruga do të jetë e kalueshme me kujdes të shtuar. Apelojmë pjesëmarrësit në komunikacion të jenë të pajisur me pajisje dimërorë për shkak kushteve atmosferike. Policia do të jetë në ndihmë dhe përkrahje, andaj kërkohet kujdes i shtuar”, thuhet në komunikatën e Policisë rajonale të Prizrenit.

Rrëshqitje të gurëve, por në masë më të vogël, përgjatë kësaj zone janë vërejtur edhe gjatë ditës së hënë, në pjesën ku Policia kishte ndaluar qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve.