Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ftuar në emisionin “038” të KTV-së të premten, ka folur për projektet e reja që po zhvillohen në këtë Komunë.
Rama ka thënë se e kanë nisur vitin vrullshëm në aspektin e kontratave dhe projekteve.
“Këtë vit e kemi nisur vrullshëm në aspektin e kontratave dhe projekteve që i kemi bërë gati. 95% e projekteve janë të tenderuara. Vitin e kaluar në këtë kohë i kemi pasur të tenderuar vetëm 31 projekte, tani 140. Kemi një hov të ri që po shihet nëpër të gjithë pjesët e kryeqytetit”, ka thënë ai.
Rruga A
Rama ka folur për projektin e Rrugës A, të cilin e ka konsideruar më madhorin deri tani.
“Një prej projekteve më të mëdha është Rruga A, që tani quhet ‘Xhim Xhema’. Vetëm se kemi filluar me zbatimin e këtij projekt të madh. Nuk është vetëm një rrugë, është një projekt madhor që zgjidh problemin e kolektorit që ka qenë një problem i madh edhe për lagjen “Kalabria”, edhe për pjesët e tjera të Prishtinës. I kemi zgjidhur problemet pronësore. Kjo rrugë krijon mundësi për 20 mijë banorë shtesë që të kenë qasje të mirëfilltë në rrugë që do të krijojë standard të ri edhe në specifikimet e materialeve, edhe në aspektin se çka ofron. Është rrugë me gjashtë korsi, me linja të veçanta për autobusë, për biçikleta, me trotuare, me drunj e ndriçim. Do të lidhet me Rrugën B”, ka thënë ai.
Kreu i kryeqytetit ka thënë se Rruga A dhe “Muharrem Fejza” kanë pasur një numër të madh rrugësh që kanë qenë qorre, ndërsa tani do të ndërlidhen dhe do të krijojnë mundësi të mira të komunikacionit.
Shpimi i rrugës së “Veternikut”
Rama ka thënë se rruga e “Veternikut” do të shpohet përfundi dhe do të bëhet ndërlidhja mes Prishtinës së Re dhe “Kalabrisë”.
“Po ashtu edhe ndërlidhja e Prishtinës së Re dhe Kalabrisë do të bëhet nëpërmjet shpimit përfundi të rrugës së “Veternikut”. Këtu jemi në bashkëinvestim me Ministrinë e Infrastrukturës. Krejt janë të ridizajnume, nuk ka me pas nevojë për këto ekzistuese, do t’i kemi më të mira, më të sigurta, më të depërtueshme. Nuk ka me qenë vetëm si nënkalim, por vazhdimësi e Rrugës A në të dy anët, Prishtina e Re dhe “Kalabria”. Ndërlidhet me Rrugën B”, ka thënë ai.
Spitali i kryeqytetit
Rama ka thënë se synojnë që deri në vitin tjetër të fillojnë me ndërtimin e spitalit të Prishtinës. Për këtë projekt, ai ka thënë se kanë marrë përkrahje edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
“Kemi një numër të madh që prej gjithë Kosovës vijnë të kërkojnë ndihmë në QKUK, dhe qytetarët e Prishtinës duhet të presin në radhë. QKUK-ja iu ofron shërbim të gjithë qytetarëve nga e gjithë Kosova, por qytetarët e Prishtinës janë në rang të dytë. Prandaj, kemi filluar projektin për Spitalin e kryeqytetit. Veçse jemi takuar me ministrin e Shëndetësisë, ku do ta kemi përkrahjen për këtë spital sekondar. Gjithë këta parametra janë në nivel të mirë. Deri në shtator mendojmë ta përfundojmë dizajnimin, në vitin tjetër të jemi në pozitë të fillojmë ndërtimin”, ka thënë ai.
Problemi me trafikun
Rama ka thënë se në zonat në qendër të Prishtinës ka intensitet të lartë të ndërtimeve, prandaj sipas tij, çështja e trafikut duhet të trajtohet qysh tani. Planifikon që me zgjerimin e sheshit deri te “Rrethi i Flamurit”, qytetarët do ta kishin një shesh të sigurt për ecje, ndërsa kjo është pjesë e riorganizimit të komunikacionit.
“Tash faza e parë në aspektin urban duhet të jetë tranzicion, ku rruga “George Bush” e cila ishte më e ngarkuara, tani shfrytëzohet vetëm nga autobusët dhe taksitë. Sot kemi një numër të madh ndërtesash, në gjitha zonat në qendër të Prishtinës po ndërtohet me intensitet të shtuar, dhe problemin që e kemi sot me trafik mund të shumëfishohet nëse nuk e trajtojmë këtë problem tash, nëse nuk e riorganizojmë trafikun. Këtë jemi duke e bërë. E kam premtuar gjatë fushatës, dhe tash jemi duke e bërë, duke liruar hapësirat publike, duke iu mundësuar qytetarëve ecje të lirë nëpër trotuare e po ashtu edhe zgjerimin e sheshit në të ardhmen deri te Posta e deri te Rrethi i Flamurit, për arsye se gjatë zhvillimit të kryeqytetit duhet ta krijojmë një shesh ku qytetarët ndihen mirë, shlirë dhe sigurt që të ecin, i cili shesh do të lidhë të gjitha sheshet kryesore të Prishtinës”, ka theksuar Rama.
Autobusët e rinj
Rama ka thënë se në fund të vitit do të vijnë 30 autobusë të rinj, gjashtë prej tyre elektrikë dhe 24 ambientalë. Ndërsa në vijim do të jenë edhe 50 mini-busë që do ta kenë linjën në zonat ku autobusët e tanishëm s’kanë qasje.
“Në fund të vitit, 10 milionë euro do të jenë për 30 autobusë shtesë, gjashtë prej tyre elektrikë, 24 prej tyre do të jenë ambientalë. Kanë me i pas linjat e dedikuara në qendër të Prishtinës dhe në zona të tjera ku kemi mundësi me bë linja të dedikuara për autobusë. Kjo lidhet edhe me planin për ridestinimin e linjave nëpër zona ku nuk shërbehen për momentin. Edhe një kontratë të 50 mini-busëve nëpër zona ku autobusët e tanishëm s’kanë qasje”, ka shtuar Rama.
“Kalabria”
“Kalabria”, sipas Ramës, ka qenë një vend me rrugë qorre, por me projektet që do t’i zhvillojë ai, siç thotë ai, kjo lagje do të transformohet tërësisht.
“Kalabria ka qenë si njëfarë vendi 'dead end', ku ka qenë e vështirë të hysh, por edhe të dalësh. Tash kjo po transformohet totalisht. Ne jemi këtu qe 18 muaj, ndërsa transformimet e mëdha po ndodhin”, ka thënë Rama.
Qentë endacakë
Rama e ka cilësuar Komunën e Prishtinës si të vetmen që “është marrë seriozisht me problemin e qenve endacakë”. Sipas tij, Prishtina s’mund ta gjejë zgjidhjen si e vetme.
“Na duhet ndihma edhe e nivelit qendror si dhe e komunave të tjera. Përkundër faktit që ne edhe po i kastrojmë, sterilizojmë, ligji thotë që ne duhet me i leshu në rrugë prapë, por po i ushqejmë për arsye që të mos jenë agresivë. Pra kemi bërë krejt çka mund të bëjë një komunë për ta zgjidhur problemin, por po them se pa involvimin e nivelit qendror dhe komunave të tjera, ka për të vazhduar problemi, për fat të keq”, ka thënë Rama.
Ai ka deklaruar se Prishtina ka shpenzuar mbi 1.3 milionë euro në këtë çështje, ndërsa ka përmendur edhe strehimoren dhe tokën e ndarë për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë.
“Kemi qenë dhe jemi liderë në zgjidhjen e problemit me qentë endacakë, që është problem jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon”.
“Prishtina Parking”
Kryetari i Prishtinës ka thënë se me ndërmarrjen “Prishtina Parking” po punohet në shenjëzimin horizontal dhe vertikal. “Ka numër shumë të madh makinash nga jashtë që punojnë e parkohen në zonat e rezidentëve. Prandaj na duhet me ditë kush është qytetar i Prishtinës, kush është banorë që t’u jepet mundësi të parkohen”, ka thënë ai duke shtuar se me rregulloren e re do të ndryshojë edhe çështja e kostos për veturat e para.
Pastrimi
Kryetari i Prishtinës ka paralajmëruar edhe plan për kontejnerë nëntokësorë. Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë disa veprime për ta bërë Prishtinën “të jetueshme”.
Ai është ankuar edhe për diskriminim në ndërmarrjen “Pastrimi” duke thënë se edhe pse Prishtina është aksionari kryesor me mbi 70 për qind, ka vetëm një ulëse në bord, sikur tri komunat tjera.
“Jemi duke e bërë tash për qershor-korrik, e kemi përgatitur tenderin e ri për të marrë ndihmë edhe nga kompanitë tjera private për t’i ndihmuar zonës qendër të kryeqytetit për t’u pastruar. Po ashtu kemi planin për të zbatuar 35 pika në qendër me dhjetë kontejnerë nëntokësorë që do të jenë fillimi i zbatimit të ri ku mundësojmë seleksionimin”, ka thënë Rama, që ka shtuar se nuk bëhet fjalë për plan sikur të projektit që pati dështuar para sa vitesh, por për projekt tjetër.
Ai ka thënë se Komuna ka ndarë tetë milionë euro për “zgjidhjen e telasheve me pastrimin” për tri vjet.
“Jemi duke bërë plan të menaxhimit me GIZ-in gjerman që të zgjidhet një herë e përgjithmonë. Ky plan është bashkë me krijimin e deponive të tjera, kemi eliminuar numër të madh të deponive ilegale, kemi ndarë pika për deponi vëllimore, kemi krijuar rregulloren për kur të hidhen bërlloku dhe ku. Po ashtu një numër i madh biznesesh që hedhin bërllokun në kontejnerët e amvisërisë, me rregullore do të duhet ta kenë kontejnerin e vet. Po marrim numër të madh të projekteve paralelisht që do të na ndihmojnë që Prishtina të jetë e pastër”, ka thënë Rama duke kërkuar edhe “vetëdijesim dhe bashkëpunim të qytetarëve”.