Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kërkuar që rasti i dhunimit të 12-vjeçares në Kamenicë të trajtohet me urgjencë nga institucionet e Kosovës.
RrGK-ja ka përkrahur kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, që ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj M.J. që dyshohet se në tetor të këtij viti ka dhunuar një vajzë 12-vjeçare në Kamenicë.
“I dyshuari aktualisht gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, kurse, marrë parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e krimit, ne i bëjmë thirrje Gjykatës Themelore të Gjilanit që ky rast të trajtohet në përputhje me Kodin Penal të Kosovës, përkatësisht nenin 227 për veprën “Dhunim”. RrGK specifkisht kërkon që ky rast të trajtohet me ndjeshmëri gjinore, ashtu siç parashihet në Konventën e Stambollit, si dhe të sigurohet trajtimi i duhur psiko-social i viktimës. Po ashtu, përmes kësaj kumtese njoftojmë se RrGK do ta përcjell rastin nga afër dhe do të kërkojë vënien e drejtësisë në vend. RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj vajzave dhe grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private”, thuhet nga RrGK-ja.