Rrjeti i Grave të Kosovës ka dënuar sjelljet ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani në seancën e së premtes.
Osmanit në fund të seancës i ishte vërsulur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, pas një debati mes deputetëve. Me t’iu vërsulur Ukaj, Osmani ndërpreu seancën.
Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një reagimi për media ka thënë se ai veprim bie ndesh me kulturën parlamentare e demokratike të një shoqërie të barabartë.
“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dënon gjuhën fyese dhe sjelljet denigruese të përdorura gjatë seancës së mbrëmshme të Kuvendit ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani. Kuvendi i Kosovës është institucion publik ku duhet respektuar rregullat dhe funksionet e secilit anëtar të tij. Në këtë institucion të gjithë qytetarët presin të përfaqësohet vullneti i tyre politik në mënyrë sa më dinjitoze. Veprime si ky i mbrëmshmi bien ndesh me kulturën parlamentare e demokratike të një shoqërie të barabartë. RrGK vlerëson se kryeparlamentarja Osmani është penguar në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit, sipas së cilës ajo bart përgjegjësinë për mbarëvajtjen e seancave parlamentare, duke përfshirë këtu edhe tërheqjen e vërejtjes ndaj deputetëve të cilët nuk i respektojnë rregullat”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.
Ky rrjet ka kërkuar nga politikanët të shmangin gjuhën kërcënuese dhe ka kërkuar ndëshkimin e tyre në përputhje me rregulloren e Kuvendit dhe ligjet në fuqi.
Edhe
Reagime të shumta pas vërsuljes së Ukajt ndaj Osmanit, LDK-ja hesht
“Sjellje të tilla ndaj grave në politikë dhe procese vendimmarrëse janë krejtësisht të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë aspiratën tonë për një shoqëri të barabartë për gratë dhe burrat. Trajtimi i tillë i grave në hapësirat publike është tregues shqetësues për trajtimin e grave në shoqërinë tonë, dhe nuk duhet kaluar pa ndëshkim”, përfundon reagimi.