Rritja e ndjeshme e importit të energjisë elektrike dhe rënia e prodhimit vendor kanë shtuar pasigurinë në sektorin energjetik dhe kanë hapur debat për mundësinë e rritjes së tarifave të energjisë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë nëntëmujorit të këtij viti importi i energjisë është rritur për 48 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ndërkohë që prodhimi vendor ka rënë për rreth 20 për qind. Kjo situatë po shihet si faktor që mund të ndikojë drejtpërdrejt në shtrenjtimin e energjisë elektrike për konsumatorët.
Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka theksuar se importi i energjisë në pesë vjetët e fundit është katërfishuar dhe se vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025 janë importuar rreth 125 milionë euro energji elektrike, krahasuar me rreth 45 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Sipas tij, kjo rritje enorme e importeve, e cila ka ndodhur para fillimit të renovimit të “Kosovës B”, e rrit frikën për korrigjim, përkatësisht rritje të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.
ZRRE-ja ka njoftuar se në fund të këtij muaji do të nisë procesi i shqyrtimit të tarifave për vitin 2026, i cili pritet të zgjasë deri në fund të marsit, por pa dhënë indikacione të qarta nëse do të ketë rritje të çmimeve. Ndërkohë, mungesa e transparencës nga ZRRE-ja lidhur me origjinën e importeve, dominimin e një kompanie në treg dhe mos publikimin e Planit Vjetor për Energji për vitin 2025 ka shtuar dyshimet dhe debatet publike, duke e bërë edhe më të paqartë ndikimin që kjo situatë do të ketë në çmimin e energjisë elektrike për qytetarët.
-
Paralajmërohet tjetër shtrenjtim i rrymës
-
ZRRE-ja propozon që sivjet të mos ketë shtrenjtim të energjisë
-
Ndizen akuzat, fiken dritat
-
Konsumi i rrymës në tetor u rrit për 17%, importi për 19% e prodhimi ra për 15%
-
Rritja e çmimit të rrymës ua rrezikon funksionimin dhe tregun kompanive prodhuese e shërbyese