Niveli i ulët i sigurisë në punë, por edhe pakujdesia janë identifikuar si faktorët që kanë ndikuar që gjatë këtij viti, në Kosovë, 11 punëtorë të humbin jetën në vendet e tyre të punës.
Vdekjet e punëtorëve dhe lëndimi i tyre në vendet e punës, thonë zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë ndodhur në sektorin privat, kryesisht në ndërtimtari, por nuk përjashtohen edhe sektorët e tjerë.
Florimi vëllai i të ndjerit Fadilit 41-vjeç, i cili pati humbur jetën në vendin e punës në janar të vitit 2016, tregon se ishin kushtet joadekuate të punës që i kushtuan me jetë vëllait.
“Ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar. Ai ka qenë në sigurim, i punësuar si roje në bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’ në Prishtinë. Është rrëzuar nga çatia e bibliotekës pasi që ishte ngjitur të rregullonte diçka. Nga aty kishte rënë poshtë dhe e kishe gjetur vdekjen. Kushtet e punës dhe siguria besoj që nuk kanë qenë adekuate në vendin e punës”, thotë ai.
Fadili ka lënë gruan dhe dy fëmijë, për të cilët siç thotë Florimi, kompania në të cilën kishte punuar vëllai i tij, nuk i ofruan mbështetje financiare.
Edhe Kosova me ligj, por pa siguri në punë“Kompania ku ka punuar përveç përkrahjes financiare në fillim nuk ka dhënë mbështetje tjetër, me arsyetimin se puna e tij ka qenë të punojë vetëm si roje dhe jo të punojë diçka atje (në çatinë e bibliotekës) ku edhe ka ndodhur aksidenti fatal. Nuk ka pasur as përkrahje nga shteti, përveç një asistence sociale”, tregon Florimi për Radion Evropa e Lirë.
Punëtorët në Kosovë në numër të konsiderueshëm punojnë pa sigurim shëndetësor dhe sigurim jetësor.
Ndërkohë, krahasuar me vitin 2016, numri i aksidenteve me fatalitet në vendin e punës ka shënuar rritje, tregon Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Derisa, numri i të lënduarve në vendin e punës arrin në 30 persona, por që ky numër thuhet se mund të jetë më i madh, pasi jo gjithmonë pronarët e kompanive paraqesin rastet e lëndimeve.
“Janë 11 raste të vdekjeve në vendin e punës këtë vit. Pra, këtë vit kemi më shumë raste të vdekjeve krahasuar me vitin e kaluar, kur kanë qenë 9 vdekje në vendin e punës. Fatkeqësisht vdekjet në vendin e punës kanë ardhur si pasojë edhe e pakujdesisë së punëtorëve, por edhe për shkak të mospërmbushjes së kushteve të sigurisë në punë”, thotë Ibrahimi.
Edhe
Pesë vdekje e mbi 80 aksidente në vendin e punës këtë vit në Kosovë
Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.
Sipas ligjeve në fuqi, punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve, në të kundërtën, shqiptohen gjoba.
Niveli i ulët i sigurisë në punë ka qenë vazhdimisht i theksuar edhe nga mekanizmat në Kosovë që merren me mbrojtjen e punëtorëve.
Avni Ajdini, kryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në vendin e punës nuk është në nivelin e duhur. Kjo sipas tij, vjen si pasojë e inspektimeve të pakta që iu bëhen kompanive.
Edhe
Për gjashtë muaj, 13 vdekje në vendet e punës
“Kushtet në të cilët punojnë punëtorët në Kosovë janë minimale. Siguria në punë nuk është në nivelin e duhur. Ne nuk jemi të kënaqur me punën e Inspektoratit të Punës sepse kapacitetet e tyre humane janë të mangëta. Kërkohet më shumë inspektime të kompanive , për të mos ardhur deri te vdekjet në vendin e punës”, thotë Ajdini.
Sektori privat, i cili është punëdhënësi më i madh në Kosovë, nga përfaqësues të organizatave që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, konsiderohet si shkelësi më i madh i të drejtave të punëtorëve, ku rrjedhimisht ka edhe një nivel më të ulët të sigurisë në punë, derisa në sektorin publik gjendja paraqitet shumë më e mirë.