Afro 22 mijë nxënës janë të regjistruar në shkolla private të arsimit parauniversitar, që është 7 mijë më shumë se që ishte para 5 vjetëve. Prindërit thonë se arsyet pse zgjedhin shkollat private janë klasat me pak nxënës dhe planprogrami. E njohësit e arsimit kritikojnë shtetin për sabotim të sektorit publik
Në pesë vjetët e fundit është shtuar dukshëm interesimi i prindërve për t’i regjistruar fëmijët në institucione arsimore private.
Afro 22 mijë nxënës janë të regjistruar në shkolla private të arsimit parauniversitar, që është 7 mijë më shumë se që ishte para 5 vjetëve.
Dritan Axhami thotë se ka vendosur që vajzën e tij ta dërgojë në një nga shkollat private për shkak të numrit të madh të nxënësve dhe pakënaqësitë në planprogramin që ofrojnë institucionet publike.
“Pra arsyeja kryesore ishte numri i madh i nxënësve dhe mosangazhimi i mësueses apo mësuesit në këtë rast me nxënësit dhe tjetra është planprogrami, që për mendimin tim ishte shumë tradicional dhe fëmijët tani janë më të prirë në aspektin e teknologjisë dhe e kanë të pamundur ta kenë atë qasje”, ka deklaruar Axhami.
Pagesa për një vit shkollor në institucionet arsimore private lëviz nga 1.200 deri në 5 mijë euro.
Sipas njohëses të çështjeve të arsimit, Valmira Morina, rritja e interesimit për t’i regjistruar fëmijët në shkolla private duhet të jetë kambanë për shtetin.
“Duke pasur parasysh që shumica e politikanëve tanë, deputetëve tanë e drejtorë të DKA-së, të cilët zgjedhin vetvetiu t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla private, atëherë është në pikëpyetje sa mund të presim prej tyre që të marrin iniciativa që të përmirësohet sistemi arsimor”, ka theksuar Morina.
Edhe
Mbi 6 mijë nxënës më shumë të regjistruar në shkolla private brenda një dekade
Në Ministri të Arsimit thanë se janë duke punuar në përmirësimin e cilësisë në sektorin publik.
“Ministria e Arsimit tash e tre vjet në vazhdimësi është duke u angazhuar për të përmirësuar cilësinë në sektorin publik e duke intervenuar në infrastrukturë, në trajnimin e mësimdhënësve, zhvillimin e programeve arsimore të avancuara, përmirësimin e infrastrukturës ligjore, rishikimin e teksteve shkollore etj.”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.
Dobësitë e sistemit arsimor publik dhe privat janë paraqitur në testimet ndërkombëtare. Rezultatet e këtyre testimeve kanë theksuar se nxënësit nuk arrijnë të kuptojnë atë që e lexojnë.