Arbëri

Rriten çmimet e konsumit

Shumë nga produktet e shportës janë shtrenjtuar gjatë nëntorit, krahasuar me çmimin që kishin në muajin e njëjtë të vitit të shkuar. Krahas tyre, çmimi i energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve djegëse të tjera u rrit për 4,8 për qind, ai i bukës dhe drithërave për 3,5 për qind, e çmimi i mallrave dhe shërbimeve e ndryshme për 2,7 për qind

Çmimet e produkteve të shportës janë shtrenjtuar për rreth 3 për qind gjatë nëntorit krahasuar me ato të muajit të njëjtë të vitit të shkuar, thuhet në një publikim të Agjencisë së Statistikave (ASK).

Në njoftimin e kësaj agjencie, të publikuar të premten, theksohet se është shënuar inflacion këtë muaj, krahasuar edhe me tetorin e sivjetmë.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej (2,9 për qind) në muajin nëntor 2023 krahasuar me muajin nëntor 2022”, thuhet në raportin e ASK-së.

Rritja kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë, te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: pemët 19,4 për qind, perimet 16,1 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 10,8 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat 7,7 për qind, prodhimet ushqimore 7,0 për qind, veshjet dhe këpucë 6,0 për qind, pijet alkoolike, duhani 5,9 për qind, rekreacionet dhe kultura 5,3 për qind.

Po ashtu, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera u rriten për 4,8 për qind, buka dhe drithërat 3,5 për qind, mallrat dhe shërbimet e ndryshme 2,7 për qind dhe mishi (1,2 për qind). Ndikimi i përbashkët i këtyre nëngrupeve ka qenë prej 3,1 për qind në IHÇK-it.

Ndërsa rënie e çmimeve është vërejtur te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: vajrat dhe yndyrat (-10,3 për qind) dhe lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-4,9 për qind) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,2 për qind në IHÇK-it.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej 0,1 për qind në muajin nëntor 2023 krahasuar me muajin tetor 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: shërbimet për transport (-4,0 për qind) dhe karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-3,6 për qind) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,4 për qind në IHÇK-it.

Ndërsa ngritja e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera 2,9 për qind, qumështi, djathi dhe vezët 0,8 për qind dhe ushqimi dhe pijet joalkoolike 0,2 për qind, e që kanë pasur ndikim të përbashkët prej 0,3 për qind në IHÇK-it.