Arbëri

Rrëzohet ideja e Serbisë e përkrahur nga Shqipëria për Union Doganor në Ballkan

Në Ballkanin Perëndimor nuk do të ketë Treg Unik e as Union Doganor, siç kishte kërkuar Serbia në mbledhjet e kaluara të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor.

Kur kanë përfunduar punimet për përgatitjet e takimit të radhës mes kryeministrave të WB6, në Trieste të Italisë, portali Koha.net merr vesh se ka rënë poshtë ideja të cilën pos Serbisë e kishte përkrahur edhe Shqipëria, e të cilën e kishin kundërshtuar me çdo kusht Kosova e Mali i Zi.

“Ajo që mund të ndodhë është një Zonë ekonomike e cila ruan sovranitetin ekonomik të Kosovës dhe vendeve të tjera, ndërsa duke mos i tejkaluar marrëveshjet për tregti të lirë siç është CEFTA rregullon këtë pjesë të Evropës si një zonë ekonomike”, ka thënë për portalin një zyrtar qeveritar që ka marrë pjesë në punimet përgatitore në Trieste, për takimin e radhës së gjashtë kryeministrave.

Sipas po këtij burimi, marrëveshja e re që pritet të arrihet është në favor të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

Kosova, përmes kryeministrit Isa Mustafa kishte refuzuar idenë për treg të përbashkët apo union doganor në Ballkan.

“Një treg i ngjashëm me atë të ish-Federatës Jugosllave, pa Kroacinë e Slloveninë e me Shqipërinë, si treg i përbashkët. Jo! Ose një union doganor i Ballkanit Perëndimor, në të cilin Kosova nuk do të ketë prekje me asnjë vend të Bashkimit Evropian. Jo!”, kishte thënë Mustafa.

Sipas tij, tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve.

“Kosova nuk e sheh me entuziazëm këtë propozim, pa marrë parasysh se i kujt është. Ne ndajmë përvoja të ndryshme nga e kaluara dhe kjo e kaluar nuk dëshirojmë të na kthehet edhe një herë në ambalazhim të ri. Kosova thellësisht mbështet bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, heqjen e të gjitha barrierave të të bërit biznes dhe tregti me vendet e Ballkanit Perëndimor; punën e përbashkët në tërheqjen e investimeve të huaja, bashkëpunimin ndërmjet NVM-ve, njohjen dhe respektimin e diplomave, qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Kosova vendin e vet e sheh në tregun unik Evropian, mbi bazën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, kishte shtuar më tej ai.