Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rrëzohet aktgjykimi dënues ndaj dy të akuzuarve për thirrje për xhihad

ISIS

Është kthyer në rigjykim rasti ndaj Denis Bytyqit dhe Enis Bitiqit, të dënuar nga Themelorja për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, shkaku i thirrjeve për xhihad, të publikuara në rrjete sociale. Sipas Apelit, shkalla e parë e ka vlerësuar në mënyrë të drejtë e të plotë gjendjen faktike të rastit.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim vendimin e Themelores, me të cilin Denis Bytyqi është dënuar me dy vjet burgim për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, kurse Enis Bitiq me 1 vit burgim për nxitje të përçarjes.

Sipas Themelores, të dy kanë përhapur publikisht në rrjete sociale postime me përmbajtje nxitëse, përmes të cilave kanë bërë thirrje për xhihad, duke përkrahur publikisht organizatën terroriste ISIS.

Mirëpo, shkalla e dytë ka konstatuar se Themelorja nuk e vlerësoi në mënyrë të drejtë e të plotë gjendjen faktike të rastit.

“Në veçanti, gjykata nuk ka sqaruar se cilat nga veprimet e përshkruara në dispozitiv përmbushin secilin prej elementeve objektive dhe subjektive të kësaj vepre penale. Arsyetimi i aktgjykimit është kufizuar në një përshkrim të përgjithshëm të veprimeve të të akuzuarve, pa analizuar përmbajtjen, natyrën dhe efektin juridik të tyre në raport me elementet përbërëse të veprës penale”, thuhet në vendimin e Apelit.

Apeli ka konstatuar se Themelorja nuk ka bërë një vlerësim konkret nëse shprehja e armiqësisë ndaj institucioneve shtetërore, forcave të sigurisë, liderëve politikë apo personave me ideologji të ndryshme, në vetvete, përbën nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit ndërmjet grupeve të mbrojtura me ligj.

Edhe Thirrje për xhihad në Facebook dhe TikTok, tri vjet burgim dy të akuzuarve Kronikë 4 muaj më parë Thirrje për xhihad në Facebook dhe TikTok, tri vjet burgim dy të akuzuarve

“Po ashtu, nuk është sqaruar se cilat grupe të mbrojtura pretendohet se janë cenuar nga këto veprime, ndaj kujt është drejtuar nxitja, si dhe në ç’mënyrë veprimet e përshkruara kanë qenë të afta të nxisin ose të rrezikojnë përçarjen, urrejtjen ose mosdurimin ndërmjet grupeve të mbrojtura, apo të cenojnë rendin dhe qetësinë publike, si elemente përbërëse të kësaj vepre penale”, thuhet në aktgjykim të Apelit.

Sipas Apelit, Themelorja nuk ka dhënë asnjë arsyetim se në çfarë mënyre publikimet e të pandehurve, paraqesin rrezik për krijimin e ndarjeve, përçarjeve apo konflikteve mbi baza etnike ose fetare, dhe nuk ka sqaruar lidhjen konkrete ndërmjet përmbajtjes së materialeve të publikuara dhe pasojave të pretenduara nga gjykata.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të ngritur më 23 shtator 2025, Denis Bytyqi dhe Enis Bitiq, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare, si dhe kanë propaganduar ideologji ekstreme fetare. Në të theksohet se ata kanë vendosur flamuj të organizatës terroriste “ISIS” mbi kulmin e shtëpisë të tyre, kurse në mure kanë bërë grafitë me shkronja arabe. Sipas Prokurorisë, me këto veprime dhe me postimet në rrjete sociale, potencialisht mund të prishet rendi publik.

Në seancën fillestare të mbajtur më 9 tetor të vitit të kaluar, i akuzuari Denis Bytyqi nuk është ngritur në këmbë gjatë leximit të aktakuzës, duke thënë se nuk e ka traditë ta bëjë.

Edhe Aktakuzë ndaj dy personave, përkrahën publikisht veprimet e ISIS-it Kronikë 9 muaj më parë Aktakuzë ndaj dy personave, përkrahën publikisht veprimet e ISIS-it

“S’e kam traditë me u çu n’kamë para kurrkujt”, pati thënë Bytyqi, duke shtuar se e konsideron veten të pafajshëm lidhur me aktakuzën ndaj tij.

I pafajshëm qe deklaruar në atë seancë edhe i akuzuari tjetër, Enis Bitiq.