Arbëri

Rreth 50 zyrtarë që punojnë në zyrat për regjistrim veturash në veri, pa paga

Qeveria e Kosovës ka bërë fushatë vitin e kaluar për t’i bindur të gjithë ata që kanë vetura me targa ilegale që t’i kthejnë në RKS. Për të ofruar këtë shërbim dhe lëshim të dokumenteve, Qeveria angazhoi 49 punëtorë. E ata, tash dy muaj nuk i kanë marrë pagat

Në dhjetor të vitit të kaluar 49 veta nënshkruan kontrata me Ministrinë e Punëve të Brendshme për të ofruar shërbime në sektorin e regjistrimit të veturave dhe në atë të lëshimit të dokumenteve, si letërnjoftime e pasaporta në veri të vendit.

Kontratave iu parapriu një fushatë e madhe nga Qeveria për ndërrim të targave të automjeteve, nga ato ilegale në RKS. Porse sivjet, nga qershori këta punëtorë po punojnë pa paga.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka treguar pse është bërë ky lëshim, por ka premtuar se ato shpejt do të procedohen.

“Dyzet e nëntë (49) zyrtarët administrativë që janë pranuar në dhjetor 2022 në qendrat për Regjistrim të Automjeteve dhe në qendrat për Pajisje me Dokumente në komunat veriore të Kosovës kanë marrë pagat deri në qershor 2023, ndërsa pagat e korrikut dhe gushtit janë në proces të procedimit për pagesë për këta zyrtarë. Të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve dhe qendrat për pajisje me dokumente në komunat veriore të Kosovës janë funksionale”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Pa paga po punojnë punëtorët në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan, Mitrovicë të Veriut dhe ata të Jugut. Të gjithë ofrojnë shërbime për komunat veriore.

KOHA ka vizituar disa prej qendrave në veri, por asnjë prej zyrtarëve nuk ka pranuar të flasë publikisht.

Në Mitrovicë të Veriut shumica e targave RKS vërehen në Lagjen e Boshnjakëve.

Në qendër të Zveçanit, afër Komunës, disa taksistë mbajnë targa RKS, por nuk janë të gatshëm të flasin publikisht nga frika se do t’iu digjen veturat, siç ka ndodhur shpeshherë në veri me automjetet me targa RKS.

Një taksist me targa ilegale që i lëshon Serbia thotë se ka vullnet për riregjistrim të veturave, porse po hasin në pengesa.

“Unë edhe herën e kaluar kam menduar për këtë (riregjistrimin në RKS), porse mua në stacionin policor më kanë thënë se nuk mund ta drejtoj veturën me tabela RKS nëse patentë shoferi është i lëshuar nga Serbia. Kjo është veç burokraci, nuk është problemi tek unë. Po jua them, unë isha tri herë, mbase edhe pesë herë në komunë, në pjesën jugore dhe në atë veriore, dhe kam dërguar email, më thonë se nuk kanë dokumentacion timin”, ka thënë taksisti nga Zveçani, Bozhidar Radoviq.

Një tjetër taksist me targa ilegale hallin e ka te paratë, meqë ka kaluar afati për regjistrim falas. Ai nuk pranon të identifikohet.

“Tash më duhet që menjëherë të jap edhe 400 euro e i kam dhënë 300 (për sticker në Serbi). E vetura ime nuk vlen 700 euro…Veç ju gazetarët mund të na ndihmoni nga pak, kur të shkoni në Prishtinë të tregoni se njerëzit duan t’i regjistrojnë e ju nuk i lëshoni. Dëgjo, unë mund ta regjistroj veturën, por ai do që sipas kubikazhës, e unë po hamendësoj, duhet të jap 800 euro për ta regjistruar”, ka thënë taksisti në kushte anonimiteti.

E gazetari serb nga veriu, Branislav Kërstiq, thotë se në bazë të informatave të tij, është rritur numri i serbëve që po i regjistrojnë veturat në RKS.

“Janë zgjuar, e kanë kuptuar që edhe ata në të ardhmen do të jenë shtetas të këtij shteti. Si pasojë në baza ditore më së paku, po flas për zyrën për riregjistrim në Komunën e Mitrovicës së Veriut, i kemi më së paku dhjetë vetura mesatarisht”, ka thënë Kërstiq.

Qeveria e ka shtyrë dy herë afatin për riregjistrimin e veturave. Pasi Qeveria Kurti vendosi për zbatim te masës se qortimit në nëntor të vitit të kaluar për ata që kanë vetura me targa ilegale, serbët në veri hoqën dorë nga institucionet, përfshirë edhe nga komunat - gjë që çoi në zgjedhje të jashtëzakonshme në veri. Qeveria e shtyu zbatimin deri më 31 mars 2023, porse grupe kriminale në veri ndërkohë dogjën dhjetëra vetura me targa RKS. Në periudhën janar-mars 2023, sipas MPB-së, janë konvertuar 123 targa nga ato ilegale në RKS.

Kjo shifër është më e lartë sesa ajo e katërmujorit të fundit të vitit 2022, kur u riregjistruan 33 automjete.

Nga Qeveria nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me mospagesën e punëtorëve dhe vullnetin e serbëve për t’i marrë targat RKS.