Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rreth 45 milionë euro importohen produkte të ujit në Kosovë çdo vit

Foto: Ilustrim

Çdo vit në tregun e Kosovës importohen produkte të ujit të ambalazhuar natyral dhe mineral në vlerë rreth 45 milionë euro. Ato shiten si produkt i kontraktuar me shumicë në supermarkete, institucione të ndryshme dhe ato hoteliere.

Kompanitë prodhuese të ujit nga shtetet fqinje mbulojnë me produktet e tyre rreth 70 për qind të tregut të Kosovës gjersa kompanitë vendore të prodhimit të ujit mbulojnë rreth 30 për qind të tregut, e cila kap një shifër prej 19 milionë euro, raporton “Koha Ditore”.

Ministria e Bujqësisë ka publikuar analizën e tregut të ujit të pijes të ambalazhuar me të cilën prezantohet gjendja e prodhimtarisë vendore të eksportit dhe importit, bilancit tregtar, çmimeve për periudhën kohore 2010-2017, mbështetja e sektorit si dhe konkluzionet.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2017, Kosova kishte importuar më së shumti ujë nga Serbia me pjesëmarrje në sasinë e importit prej 75 për qind, e pasur nga Shqipëria me 11 për qind, nga Turqia me 4 për qind, nga Kroacia me 2 për qind dhe nga Sllovenia me 1 për qind.

Këto vende përbëjnë 93 për qind të importit, ndërsa vendet të grupuara si të tjera marrin pjesë më vetëm 7 për qind.

“Sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rrjedh se tregu i përgjithshëm i ujit në Kosovë në vitin 2017, vlerësohet të jetë rreth 64 milionë e 600 mijë euro. Për përmbushjen e kërkesave të popullatës për konsum me ujë të pijes të ambalazhuar, përveç prodhimit vendor një sasi e konsiderueshme e këtij produkti importohet, duke përfshirë lloje të ndryshme nga shumë vende të botës. Importi i këtij produkti në periudhën 2010- 2016, mesatarisht ka qenë 104, 165 tonë në vit, duke u shtuar varësisht nga kërkesat e tregut. Sasia më e madhe e importit ka qenë në vitin 2015, me 119,837 tonë, ndërsa në vitin 2017 kjo sasi ishte 112,988 tonë”, thuhet në raport.

Edhe Rreth 4 milionë euro vlera e qumështit dhe produkteve të tij të importuara nga tri shtete të rajonit Arbëri Rreth 4 milionë euro vlera e qumështit dhe produkteve të tij të importuara nga tri shtete të rajonit

Analiza flet se kompanitë prodhuese vendore të ujit kanë arritur që të rrisin kapacitet e tyre dhe kishin eksportuar produktet e tyre dhe suksesi më i madh ishte në vitin 2017 ngase vlera e eksportit ishte 10 milionë e 100 mijë euro ndërsa sasia më e ulët ishte në vitin 2010, me vetëm 2 milionë e 300 mijë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë në vitin 2017 janë të regjistruara 25 kompani të vogla dhe të mesme që merren me prodhimin e ujit. Është kërkuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të rishqyrtojë masat e përkrahjes me qëllim që kompanitë vendore të përmirësojnë teknologjinë me qëllim që të arrihen standardet e larta të produktit të ujit.

“Sa i përket eksportit sipas vendeve, përqindja më e lartë e ujit ishte eksportuar në Maqedoni 31 për qind, pastaj Shqipëria 17 për qind, Bullgaria me 10 për qind, Rumani 7 për qind, Mali i Zi 6 për qind, Zvicër 4 për qind e pasuar nga Serbia dhe Italia që kishin pjesëmarrje prej 2 për qind, si dhe në shtetet e grupuara si të tjera me 21 për qind. Nga të dhënat e paraqitura në këtë analizë, mund të konkludojmë se në Kosovë ky sektor është në rritje e sipër dhe se është duke u zgjeruar me hapa të shpejtë”, thuhet në raportin e Ministrisë që është publikuar këtë vit.