Si pasojë e rrëshqitjes së dheut në pjesën e epërme të fshatit Ivajë të Komunës së Kaçanikut, është dëmtuar gypi kryesor i furnizimit të ujit të pijshëm. Stafi teknik i kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni” në bashkëpunim me komunën prej dy ditësh janë duke bërë përpjekje për riparimin e gypit në mënyrë që qytetarëve t’i kthejë furnizimin me ujë të pijshëm.
Nazif Asllani, drejtor në kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj, ka thënë se janë duke punuar në terren dhe gjatë së mërkurës, pritet të rikthehet furnizimi me ujë, shkruan sot Koha Ditore.
“Nuk është hera e parë që po paraqiten rrëshqitje të dheut në pjesën e epërme të fshatit Ivajë dhe si pasojë e kësaj po dëmtohet gypi kryesor i ujësjellësit. Jemi duke bërë përpjekje që ta ndërrojmë lokacionin e gypit kryesor në mënyrë që këto telashe të eliminohen. Sa u përket defekteve aktuale po besojmë se brenda ditës do të kthehet furnizimi i ujit, sepse ekipi tashmë është duke e riparuar gypin”, ka thënë Asllani.
Sipas tij, gypi i ujësjellësit në këtë pjesë është mbi sipërfaqe të tokës për shkak të territorit të keq dhe mundësitë janë të vogla për investime, por në të ardhmen duhet shikuar mundësitë për ta vendosur një gyp tjetër nën tokë.
(Artikullin e plotë lexojeni sot në Koha Ditore)