Sipas gazetarit të njohur dhe kolumnistit të KOHËS, Enver Robelli, opozita e re në Kosovë ende s’e ka kuptuar pozitën e saj dhe rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Pas situatës së tensionuar të enjten, si rrjedhojë e debatit të ashpër Kuvendi për pak u kthye në arenë përleshjesh mes deputetëve dhe ministrave.
Duke e komentuar këtë situatë, Robelli në emisionin “Desku” në KTV i ka quajtur për keqardhje reagimet e opozitës. Ka thënë se po i duket sikur të jetë cirk.
“I përcolla pak dhe për keqardhje mund të them sepse me sa duket një pjesë e opozitës që ka mbetur pa pushtet po e kërkon rolin e ri të vet, dhe e ka zgjedhur rrugën e saj që duket si një cirk se një opozitë e mirëfilltë. Duket se ende s’e kanë kuptuar çfarë domethënie ka pasur vota e 14 shkurtit, që ka qenë votë bukur e fuqishme për ndryshim. Do të ishte mirë që me kalimin e kohës të kishte opozitë të shëndetshme, që t’i lexoni si duhet rezultatet e të fillonin me pastrimin e terrenit brenda shtëpisë”, ka thënë ai.
Sipas tij, situata e re është sikur ato që sajoheshin në të kaluarën.
Ai ka thënë se Kosovës do t’i bënte mirë të kishte opozitë të përgjegjshme “sepse pas 4 vitesh apo 8 do të kishte ndoshta nevojë për ndryshime”.
Të enjten, pas një debati në seancën ku është dashur të debatohej për situatën në arsim, pasi nga salla vendosën të largoheshin deputetët e PDK-së, ata u përplasën me ministrat e Qeverisë Kurti e më pas me deputetë të VV-së.
Nga zgjedhjet e 14 shkurtit, Vetëvendosje dhe lista “Guxo” kanë marrë shumicën për të qeverisur me vendin. PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja përbëjnë opozitën e re.
Robelli: Konkurrenca është bërë brutale në botën e medias
Gazetari dhe koluministi i KOHËS, Enver Robelli, ka thënë se konkurrenca është bërë brutale në botën e medias jo vetëm në Kosovë por në të gjithë botën.
Robelli duke folur në “Desku” të KTV-së për gjendjen e mediave kryesisht në Kosovë, ka thënë se gara për të qenë i pari dhe për të gjeneruar klikime, shpeshherë po shkon deri në atë nivel sa nuk po zgjedhën mjetet.
“Qysh para 10 viteve e kam paralajmëruar një degradim të mundshëm të mediave dhe në këto 10 vitet e fundit nuk ka qenë një zhvillim i mirë dhe kjo vërehet në zhurmën mediale që bëhet, e që në të shumtën e rasteve është pa përmbajtje. Shumica e gazetarëve jetojnë në një fluks në Prishtinë, mediat ushtrojnë një tifozllëk si në stadium, në të shumtën e mediave nuk po shoh reflektim të jetës së përditshme të njerëzve. Ne nuk po shohim se çka ndodh në qytetet e tjera të Kosovës. Një ndër tekstet e mija më të lexuara ka qenë një portret i një shqiptari që bën djathë në Zvicër. Temat më emocionale janë temat që lidhen me njerëz dhe jo temat burokratike”, ka thënë Robelli.
Ai ka thënë se me krizën financiare dhe me digjitalizimin e mediave, janë reduktuar edhe korrespodentët e tyre dhe tashmë në mediat e huaja, edhe raportimet për Kosovën janë reduktuar.