Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se nga dhjetori i vitit të kaluar, serbëve në komunat veriore nuk iu është paguar shpenzimi i energjisë elektrike nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.
Ajo ka deklaruar të mërkurën në Konfront të KTV-së, se ndarja e fundit e buxhetit për energjinë elektrike është bërë në dhjetorin e vitit të kaluar, ndërsa, tash që serbëve iu duhet ta paguajnë borxhin e ardhshëm, ministrja u shpreh se “nuk presin të ketë rezistencë”.
“Një aspekt shumë pozitiv në gjithë këtë, nëse ka një aspekt pozitiv në këtë çështje është se qytetarët e Republikës së Kosovës edhe në atë pjesë në veri, pavarësisht përkatësisë etnike, e kuptojnë e edhe e pranojnë se energjia elektrike e konsumuar duhet të paguhet. Në këtë kuptim, nuk presim të ketë rezistencë, sigurisht që nuk do të jetë e dëshirueshme të paguajnë për një shërbim që s’e kanë paguar më herët, por s’presim rezistencë serioze”, ka deklaruar Rizvanolli.
Sipas ministres së Ekonomisë, institucionet e Kosovës janë në komunikim me Bashkimin Evropian për të përkrahur në pagimin e borxheve paraprake të energjisë elektrike në veri, e siç ka thënë ajo, borxhi është 18 milionë euro.
“Prej 1 viti, prej faturës së nëntorit të 2022-s, ne s’kemi ndarë mjete të reja, e kemi insistuar që kjo çështje të zgjidhet ashtu si të zgjidhet, e për borxhet kemi pasur komunikime dhe po kërkojmë nga BE-ja meqë BE-ja luan rolin e garantuesit të marrëveshjes. Duke qenë se i kemi zbatuar obligimet e pala tjetër jo, kemi kërkuar përkrahjen e BE-së për të paguar borxhet që janë akumuluar nga ana e konsumit”, është shprehur Rizvanolli.
Ajo ka thënë se kontrata e nënshkruar mes KEDS-it dhe Elektroseverit "në përpikëri i zbaton dhe respekton ligjin dhe rregullivat e Qeverisë së Kosovës".
-
Rizvanolli: Serbia po e saboton Marrëveshjen e energjisë në veri
-
Kosova i kërkon Serbisë që ta zbatojë obligimin për tregtinë ndërkufitare të energjisë
-
Rizvanolli: Serbia ka brengë se po humb fuqinë për të shantazhuar serbët e Kosovës
-
Rizvanolli thotë se po tentojnë ta mbrojnë shumicën nga rritja e çmimit të rrymës
-
Rizvanolli thotë se qytetarët e komunave tjera s'po e paguajnë më rrymën në veri