Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kthyer prapa njoftimin e universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren për anulimin e aktivitetit të prokurimit për ndarjen e hapësirave në ndërtesat e këtij universiteti.
Kësisoj “Gjykata e tenderëve” ka marrë vendim që lënda të kthehet në rivlerësim, për shkak të shkeljeve të dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik nga ana e UPZ-së, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Anulohet njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: 'Ndarja e hapësirave në objektet e UPZ-së’ dhe lënda kthehet në rivlerësim”, shkruan në vendimin e OSHP-së.
Paraprakisht OSHP-ja ka bërë të ditur se lidhur me këtë çështje ka pranuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Construmax” nga Suhareka.
Në arsyetimin e vendimit të OSHP-së shkruan se UPZ-ja më 22 mars 2018 ka njoftuar për anulimin e këtij prokurimi dhe se kundër këtij njoftimi operatori i sipërpërmendur ka bërë kërkesë për rishqyrtim te autoriteti kontraktues, gjë që është shpërfillur nga UPZ-ja dhe rrjedhimisht operatori më 30 mars të këtij viti ka paraqitur ankesë në “Gjykatën e tenderëve”, me pretendimin se janë shkelur nenet 1, 6, 7, 9, 22, 62 dhe 72 të LPP-së... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)