Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rivarroset në Obiliq Habib Grajqevci, i zhdukur gjatë luftës

Është rivarrosur dëshmori Habib Grajqevci në varrezat e Hashanëve në Obiliq.

Ceremonia e rivarrimit të të zhdukurit u bë nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në prani të përfaqësueseve të Qeverisë së Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i shprehu ngushëllime familjarëve të të pagjeturit duke i premtuar se Qeveria e re do të bëjë të pamundurën për të gjetur vëllezërit e Habibit dhe të pagjeturit e tjerë.

“Qeveria e re do të ketë qasje tjetër karshi të pagjeturve që Serbia nuk i ka kthyer në Kosovë. Unë sot jam këtu për të shprehur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të kthyer të pagjeturit. Do të jetë prioritet i qeverisë sonë që edhe vëllezërit e Habibit të prehen të qetë dhe të kthehen pranë tij dhe pranë familjarëve... Institucionet e Republikës së Kosovës do të punojnë pandalë për t’i kthyer të pagjeturit”, deklaroi Haxhiu, raporton Ksp.

Ibush Mjekiqi, nënkryetari i Komunës së Obiliqit, duke i shprehur ngushëllime familjes, ka kërkuar nga institucionet që të bëjnë çmos për të pagjeturit dhe kthimin e trupave të tyre në Kosovë.

Edhe I zhdukur gjatë luftës, Habib Grajqevci nga Obiliqi do të varroset pas 21 vjetësh Video I zhdukur gjatë luftës, Habib Grajqevci nga Obiliqi do të varroset pas 21 vjetësh

“I shprehim ngushëllime familjes së bashkëvendësit tonë Habibit i cili dha jetën për lirinë e Kosovës. Kërkojmë nga institucionet që të bëjnë çdo gjë të mundshme për gjetjen e këtyre viktimave që për fat të keq ende janë shumë të pagjetur”, deklaroi Mjekiqi.

Familja Grajqevci ka të zhdukur edhe dy djem të tjerë, Xhevat e Nebih Grajqevci, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur ende.