Arbëri

I zhdukur gjatë luftës, Habib Grajqevci nga Obiliqi do të varroset pas 21 vjetësh

Mesnata e 26 marsit 1999 kishte qenë fatale për tre vëllezërit, Xhevat, Habib e Nebi Grajqevci nga Obiliqi.

Ahmet Grajqevci, djali i axhës i të vrarëve, tha se policia serbe atë natë

i kishte nxjerrë me forcë nga shtëpia, e nga ajo kohë nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton KTV.

21 vjet pas, Xhevati e Nebiu vazhdojnë të jenë të zhdukur. Në vitin 2003, në varrezat në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit ishte gjetur vetëm trupi i Habib Grajqevcit, që të martën do t’i dorëzohet familjes.

Babai i tyre, Hashimi, shton Ahmeti, vdiq me mallin për tre djemtë e tij.

Pasi e kishte identifikuar Habibin në vitin 2006, babai kishte vendosur të presë edhe për trupat e dy djemve të tjerë në mënyrë që të varrosen bashkë.

Ahmet Grajqevci thotë se adresa ku duhet kërkuar llogari për fatin e të zhdukurve është Beogradi. Por ai është i zemëruar me punën e deritanishme të institucioneve vendore.

Ndërkaq, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka konfirmuar se me kërkesë të familjes, Habib Grajqevci do të varroset të martën në qytetin e Obiliqit.

Ai ka theksuar nevojën që procesi në identifikimin e të zhdukurve të kthehet nga fillimi.

Nga lufta e fundit në Kosovë vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe rreth 1600 persona.