Rreziku i parë nga i cili kanoset mbarëvajtja e procesit të vetingut në drejtësi është rezistenca e mundshme e prokurorëve e gjyqtarëve serbë që t’i nënshtrohen këtij procesi. Një paralajmërim i tillë nga zyrtarët e drejtësisë të etnisë serbe, siç ka mësuar KOHA, i është drejtuar edhe Ministrisë së Drejtësisë, por edhe anëtarëve të komisionit që po punojnë në infrastrukturën juridike të vetingut. Në rast që serbët nuk do t’i nënshtrohen këtij procesi sipas ekspertëve të kësaj fushe bëhet i parëndësishëm procesi
Sinjale të qarta ka edhe Ministria e Drejtësisë e edhe komisioni që është në grupin punues për veting se mund t’u dalin probleme me prokurorët e gjyqtarët serbë.
Nga burime të ndryshme KOHA ka mësuar që tashmë është paralajmëruar rezistencë e tyre, për të kaluar përmes këtij procesi.
Procesi i rekrutimit të tyre ishte bërë bazuar në një marrëveshje politike mes Kosovës e Serbisë e arritur në Bruksel. Kriteret ishin pothuajse formale.
KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Drejtësisë për atë nëse u është bërë e qartë se prokurorët e gjyqtarët serbë do të refuzojnë të kalojnë nëpër këtë proces, por ata nuk u janë përgjigjur.
Javë më parë është bërë publik koncept-dokumenti për zhvillimin e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë.
Komisioni që është duke punuar për kornizën juridike për fillimin e këtij procesi është gjithëpërfshirës. Në përbërje ka edhe zyrtarë të shtetit, por edhe përfaqësues nga OJQ, por në këtë komision nuk është i pranishëm ndonjë pjesëtarë nga komuniteti serb.
Por në rast që serbët do të refuzojnë që t’i nënshtrohen këtij procesi, atëherë vihet në pikëpyetje nëse vetingu mund të jetë i suksesshëm.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se ky proces duhet të bëhet për të gjithë ose për askënd.
“Vettingu i cili do të mund potencialisht të ndahej në vija etnike s’do ta kishte rëndësinë, por do të kishte kontraefekt. Andaj unë besoj që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës në të ardhmen një veting që s’i përfshin edhe gjyqtarët e prokurorët serbë, që mund të themi se janë përafërsisht 15 për qind e prokurorëve e gjyqtarëve në Kosovë, sigurisht që do të kishte edhe konotacion politik e diplomatik të keq për Kosovën”, ka thënë ai.
Për kohë të gjatë në Kosovë serbët nuk kanë qenë të integruar në sistemin e drejtësisë.
Si pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, kryeministrat e të dyja vendeve u dakorduan lidhur me një udhërrëfyes në vitin 2015 për integrimin e komunave veriore të Kosovës me shumicë serbe në sistemin e gjyqësorit të Kosovës.
Para kësaj marrëveshjeje mbi sistemin e drejtësisë, komunat serbe kishin gjykatat paralele.